AAPSK forcon bashkëpunimin ndërkombëtar për praktikat e administrimit të pasurive të konfiskuara

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 12 nëntor, Zhurnal.mk – Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) vijon të zgjerojë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe rajonal, me fokus forcimin e kapaciteteve institucionale, shkëmbimin e eksperiencave dhe promovimin e praktikave më të mira evropiane për administrimin dhe ripërdorimin social të pasurive të konfiskuara.

Në këtë kuadër, AAPSK mori pjesë në Takimin e Komitetit Drejtues të projektit rajonal EU4FAST – “Mbështetja e BE-së për Forcimin e Luftës kundër Kontrabandimit të Migrantëve dhe Trafikimit të Qenieve Njerëzore në Ballkanin Perëndimor”, të organizuar më 12 nëntor në Tiranë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve shqiptare, partnerëve ndërkombëtarë dhe organizatave zbatuese të projektit.

Gjatë takimit u trajtua progresi i bashkëpunimit ndërinstitucional, rezultatet e arritura me mbështetjen e EU4FAST, si dhe mundësitë për zhvillimin e mëtejshëm të iniciativave të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar.

Në fjalën e saj, Kryeadministratorja e AAPSK-së, Risena Xhaja, vlerësoi mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, duke theksuar rëndësinë që ka bashkëpunimi rajonal jo vetëm në goditjen e veprimtarisë kriminale, por edhe në administrimin e pasurive që burojnë prej saj.

“EU4FAST përfaqëson një iniciativë të rëndësishme në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe bashkëpunimit rajonal në luftën kundër kontrabandimit të migrantëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Në këtë kuadër, një rëndësi të veçantë merr edhe dimensioni ekonomik i luftës kundër krimit, nga gjurmimi dhe sekuestrimi i aseteve kriminale deri te konfiskimi, administrimi dhe ripërdorimi i tyre social”, u shpreh Xhaja.

Një nga rezultatet konkrete të bashkëpunimit ndërkombëtar të AAPSK-së është nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit me institucionin homolog të Bosnjë-Hercegovinës, FAZUOI, iniciativë e mbështetur edhe nga projekti EU4FAST.

Një tjetër moment i rëndësishëm i këtij partneriteti ishte konferenca ndërkombëtare “From Confiscation to Public Good” (Nga konfiskimi në të mirën publike), e zhvilluar në Tiranë më 26 maj 2026, me mbështetjen edhe të EU4FAST.

Një dimension i rëndësishëm i angazhimit të AAPSK-së mbetet promovimi i ripërdorimit social të pasurive të konfiskuara, si një instrument që i jep luftës kundër krimit një ndikim të drejtpërdrejtë në shoqëri.

Në këtë drejtim, bashkëpunimi ndërkombëtar ndihmon në identifikimin e modeleve të qëndrueshme që mundësojnë përdorimin e këtyre pasurive për mbështetjen e kategorive në nevojë, viktimave të trafikimit dhe komuniteteve.

“Ky mesazh merr një rëndësi të veçantë edhe në kontekstin e luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore, ku ripërdorimi social i pasurive të konfiskuara mund të kontribuojë në mbështetjen e viktimave, grupeve vulnerabël dhe komuniteteve”, theksoi Kryeadministratorja e AAPSK-së.

Sipas saj, partneritetet ndërkombëtare krijojnë mundësi për të përmirësuar mënyrën e administrimit të pasurive dhe për të rritur ndikimin e tyre ekonomik e social.

Gjatë fjalës së saj, Xhaja shprehu mirënjohjen për Bashkimin Evropian, Qeverinë Federale Gjermane, Ministrinë e Brendshme të Italisë, Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Holandës, GIZ dhe partnerët e tjerë zbatues të projektit EU4FAST.

Ajo vlerësoi se mbështetja ndërkombëtare ka krijuar mundësi konkrete për zgjerimin e bashkëpunimit rajonal dhe forcimin e marrëdhënieve me institucionet homologe.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër