Prishtinë, 22 tetor Zhurnal.mk – Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar që politikanët dhe populli të mos thotë që po dënohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës pas verdiktit dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Ai nuk deshi të paragjykojë procesin i cili është në fazën e apelit, por ritheksoi që kjo gjuhë nuk duhet përdorur nga politikanët dhe këtë ua ka kërkuar edhe ai vetë.
“Ju lutem, mos e thoni, mos e thoni që dënohet UÇK-ja, sepse s’dënohet UÇK-ja. Ju lutem, kjo nuk bën të thuhet kështu…edhe kështu ua kam kërkuar të gjithë liderëve politikë…edhe kështu e kërkoj vazhdimisht dhe dua të argumentojmë, dhe jam në gjendje të argumentoj me secilin njeri kundërshtar të republikës së Kosovës që UÇK-ja nuk është kriminale”, tha Abdixhiku në Rubikon të Klan Kosovës.
