Shkup, 14 gusht Zhurnal.mk – Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar, në fund të vitit 2025, kishte në dispozicion pasuri të konfiskuara në vlerë prej rreth 48.9 milionë euro, tregon raporti i revizionit.
Përllogaritjet e “Faktor” tregojnë se vetëm një vit më parë, në fund të vitit 2024, vlera e kësaj pasurie ishte rreth 39 milionë euro. Kjo do të thotë se brenda një viti, në Agjenci janë shtuar pothuajse 10 milionë euro pasuri të konfiskuara, përkatësisht një rritje prej rreth 25 për qind.
Nga gjithsej 48.9 milionë euro, rreth 31 milionë euro janë pasuri të paluajtshme të konfiskuara, të destinuara për shitje, ndërsa rreth 17.8 milionë euro janë materiale të konfiskuara dhe mallra të tjera.
Megjithatë, një pjesë e pasurive të paluajtshme ende nuk mund të nxirret në shitje. Në raportin e revizionit theksohet se disa prej tyre kanë hipoteka të regjistruara, ndërsa zgjidhja e statusit të tyre varet edhe nga institucionet e tjera.
“Procedurat për lirimin e tyre nga barrët e regjistruara varen nga veprimet dhe vendimet e disa institucioneve kompetente dhe palëve të treta”, thuhet në raport.
Në të njëjtën kohë, të hyrat nga shitja e pasurisë së konfiskuar gjatë gjithë vitit 2025 kanë arritur në vetëm rreth 1.34 milionë euro. Prej tyre, rreth 1.16 milionë euro janë realizuar nga shitja e pasurive të paluajtshme, ndërsa rreth 179 mijë euro nga shitja e automjeteve të konfiskuara.
Kështu, në fund të vitit, Agjencia kishte pasuri të konfiskuara me vlerë prej pothuajse 49 milionë euro, ndërsa gjatë gjithë vitit nga shitja e tyre janë arkëtuar vetëm rreth 1.34 milionë euro.
Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar merr në administrim dhe menaxhon pasuritë e konfiskuara me vendime gjyqësore dhe vendime të tjera. Detyra e saj është të ruajë vlerën e pasurisë, ta administrojë dhe evidentoje atë, ndërsa kur plotësohen kushtet, ta shesë, japë me qira ose ta transferojë në përputhje me procedurat ligjore.
