Ahmeti: Kam informacione që ka iniciativa për të paditur Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare në Hagë

Nga D V
750 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 31 korrik, Zhurnal.mk – Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, në një paraqitje në KohaCast, tha se ka informacione që në Gjykatën Kushtetuese ka iniciativa për të hapur çështjet e Tribunalit të Hagës, gjegjësisht paditjen e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK).

Ahmeti tha se nëse hapen plagët e vjetra, dhimbja është më e madhe se sa kur hapen plagë të reja.

“Kam informacione që ka iniciativa në Gjykatën Kushtetuese për të hapur çështjet e tribunalit të Hagës për t’u padit Ushtria Çlirimtare Kombëtare për krime lufte. Jo që më frikëson, por të hapësh plagë të vjetra dhimbja është më e madhe se sa kur hapet një plagë e re. Janë çështje që i kemi mbyllur më shumë se 20 vite më parë”, tha Ahmeti.

Duke folur për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Ahmeti vlerësoi se partitë shqiptare kanë qenë bartëset kryesore të avancimit të saj, ndërsa kritikoi partitë maqedonase për mungesë angazhimi në promovimin e frymës së marrëveshjes.

“Partitë shqiptare kanë punuar shumë më tepër për promovimin e Marrëveshjes së Ohrit. U kam thënë edhe partive maqedonase se nuk kanë bërë sa duhet për t’ua shpjeguar qytetarëve maqedonas rëndësinë e saj. Ekziston bindja se me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit maqedonasit e humbasin shtetin, por kjo nuk është e vërtetë. Me Marrëveshjen e Ohrit kanë fituar edhe shqiptarët, edhe maqedonasit”, theksoi Ahmeti.

Ai shtoi se sfidat më të mëdha në zbatimin e marrëveshjes kanë qenë gjatë miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, proces që, sipas tij, u përmbyll vetëm në vitet 2016-2017. Sipas Ahmetit, Marrëveshja e Ohrit mbetet kompromisi historik që ruajti karakterin multietnik të shtetit dhe shmangu skenarin e ndarjes territoriale të Maqedonisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër