Shkup, 14 gusht Zhurnal.mk – Një operacion i madh ndërkombëtar policor ka rezultuar me shkatërrimin e një grupi të organizuar kriminal të dyshuar për trafik ndërkufitar të drogës.
Gjatë operacionit, deri më tani janë arrestuar disa persona, ndërsa policia ka sekuestruar rreth 300 kilogramë marihuanë.
Operacioni po zhvillohet në koordinim të ngushtë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme, përkatësisht Departamentit për Kriminalistikë, dhe ekipeve policore e prokuroriale nga Kosova dhe Greqia, raporton 4news.mk.
Aksioni është rezultat i një hetimi të gjatë operacional, gjatë të cilit janë monitoruar aktivitetet e rrjetit kriminal të dyshuar për kontrabandë të lëndëve narkotike në të tri shtetet.
Veprimet policore dhe kontrollet po vazhdojnë gjatë ditës së sotme në territorin e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, me qëllim zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se, për shkak se hetimi është ende në vijim, për momentin nuk bëhen të ditura detaje rreth identitetit të personave të arrestuar dhe mënyrës së funksionimit të grupit.
Informacione të tjera priten pas përfundimit të plotë të operacionit.
