Shkup, 10 nëntor, Zhurnal.mk – VMRO-DPMNE akuzon se gjatë periudhës së qeverisjes së LSDM-së, të udhëhequr nga Zoran Zaev, dhe në kohën kur Venko Filipçe ishte pjesë e Qeverisë, përmes Eurostandard Bankës janë realizuar transaksione financiare të dyshimta me para që, sipas partisë, kanë prejardhje nga Venezuela.
Nga partia pretendojnë se kësti i parë i transaksioneve ka qenë në vlerë prej 110 milionë eurosh, ndërsa shuma e përgjithshme që duhej të transferohej përmes bankës arrinte në 1,6 miliardë euro.
Në kumtesë përmendet edhe një kompani maqedonase e cila, sipas pretendimeve të VMRO-DPMNE-së, ka blerë pleh artificial nga një kompani në Bjellorusi. Mjetet më pas janë transferuar në një llogari në Serbi, ku janë ngrirë me kërkesë të prokurorisë.
VMRO-DPMNE bën lidhje edhe me, siç thekson, dhënien e pasaportave dhe tenderëve biznesmenëve nga jashtë gjatë periudhës së pushtetit të kaluar, duke akuzuar se interesat e tyre afariste kanë qenë të privilegjuara.
Partia i rihap gjithashtu çështjet për kreditë që përmes Eurostandard Bankës i kanë marrë kompani të lidhura me familjen Zaev dhe partnerët e tyre afaristë. Në këtë kontekst përmend “Sara Inxhinering”, “Global Media Grup” dhe “Triterol”, për të cilat pretendon se kanë marrë kredi milionëshe që më vonë nuk janë kthyer.
Nga VMRO-DPMNE akuzojnë LSDM-në, Zoran Zaevin dhe Venko Filipçen për përgjegjësi politike dhe kërkojnë përgjigje për transaksionet financiare dhe marrëdhëniet afariste të përmendura.
“Maqedonia nuk guxon të jetë një shtet në të cilin pushteti politik shërben për mbrojtjen e interesave të dyshimta afariste”, theksojnë nga partia, duke shtuar se për raste të tilla, sipas tyre, duhet të ketë përgjegjësi.

