Shkup, 15 dhjetor – SHBA-ja dhe Maqedonia janë të bashkuara në shumë gjëra, përfshirë edhe bindjen tonë të përbashkët se transparenca e institucioneve dhe ekonomitë e forta janë themeli i një demokracie të suksesshme, prosperitetit të qëndrueshëm dhe komuniteteve të sigurta. Dua ta përshëndes bashkëpunimin mes SHBA-së dhe Maqedonisë në forcimin e institucioneve, promovimin e bashkëpunimit ekonomik dhe ofrimin e rezultateve për qytetarët, porositi ambasadorja amerikane në vend, Angela Ageler, në ngjarjen e sotme të organizuar nga Ministria e Financave “Forcimi i kapaciteteve institucionale: Shënimi i bashkëpunimit mes SHBA-së dhe Maqedonisë”, ku u prezantua bashkëpunimi i deritanishëm dhe i ardhshëm mes Ministrisë së Financave dhe Thesarit të SHBA-së, transmeton Zhurnal.mk
– Ky program i posaçëm mes Thesarit të SHBA-së dhe Qeverisë së Maqedonisë, konkretisht Ministrisë së Financave, filloi në vitin 2022, por bashkëpunimi ka nisur shumë më herët. Sot ky program është bërë i dyti për nga madhësia i Ministrisë së Financave të SHBA-së në botë. Përpjekjet janë të përqendruara në pesë fusha kritike: Administrata e të Hyrave Publike, financimi i infrastrukturës, shërbimet bankare dhe financiare, përgjegjësia buxhetore dhe lufta kundër krimit ekonomik, theksoi Ageler.
Ageler theksoi se suksesi i këtij partneriteti është dëshmi e përkushtimeve tona të përbashkëta dhe e një mjedisi të hapur për bashkëpunim, të nxitur nga Ministria e Financave, transmeton Zhurnal.mk
– Ministre, programi u ngadalësua pak gjatë viteve të fundit, teksa nga të dy anët e Atlantikut vlerësuam ndikimin dhe potencialin e vërtetë të këtij partneriteti. Dua t’ju falënderoj personalisht për përkushtimin dhe mbështetjen tuaj të palëkundur për vazhdimin e tij. Falë jush, po ndërtojmë institucione më të forta, menaxhim fiskal më efikas dhe po krijojmë rregulla më të qarta dhe më të drejta që u japin besim bizneseve dhe investitorëve për të zgjeruar veprimtarinë e tyre, tha Ageler.
Ambasadorja amerikane theksoi se reformat do të ndihmojnë në diversifikimin e financave, zgjerimin e tregjeve të kapitalit dhe uljen e varësisë nga borxhet e jashtme, transmeton Zhurnal.mk
– Duke punuar së bashku, ne kontribuojmë që vendet tona të jenë më të sigurta, më të forta dhe më prosperuese. Po ashtu, po vendosim themelet për një të ardhme më të ndritur për brezat e ardhshëm, përfundoi Ageler.
Më herët, ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, theksoi se ky partneritet nuk është vetëm mbështetje, por një proces afatgjatë i forcimit të institucioneve, rritjes së ekspertizës dhe krijimit të sistemeve moderne që do të sigurojnë financa publike të parashikueshme, të përgjegjshme dhe transparente.
Ajo, duke iu referuar bashkëpunimit me Ministrinë e Financave të SHBA-së përmes Zyrës së tyre për Asistencë Teknike (OTA), tha se bashkëpunimi me Thesarin e SHBA-së në sektorët e Buxhetit dhe Thesarit ka rrënjë të thella dhe se sistemi ynë i planifikimit buxhetor është zhvilluar fillimisht me ndihmë teknike nga SHBA-ja në periudhën 2004–2008, duke përbërë bazën mbi të cilën sot ndërtojmë një menaxhim modern të financave publike, transmeton Zhurnal.mk
