Tiranë, 10 nëntor, Zhurnal.mk – Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, theksoi rëndësinë e rolit të shoqërisë civile në procesin e anëtarësimit të vendit në BE, duke nënvizuar se shqetësimet e saj janë reflektuar edhe në raportin për Shqipërinë 2026.
Gjatë prezantimit të raportprogresit të Komisionit Evropian përpara organizatave të shoqërisë civile, ambasadorja theksoi se diskutimet u përqendruan te çështje të rëndësishme si mjedisi, transparenca, të drejtat e pronësisë mbi tokën, arsimi dhe shëndetësia.
“Shoqëria civile është një partner kyç në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe shumë prej shqetësimeve të saj janë pasqyruar në raportin për Shqipërinë 2026. Dje, prezantova raportin përpara organizatave të shoqërisë civile dhe dëgjova pyetjet e tyre mbi mjedisin, transparencën, të drejtat e pronësisë mbi tokën, arsimin dhe shëndetësinë, e mbi të gjitha, mbi mënyrën se si matet progresi”, shkruan ajo.
Moreira de Sousa theksoi se Shqipëria ka nevojë për konsultime publike më kuptimplota dhe masa konkrete për adresimin e problematikave të ngritura.
“Raporti është i qartë. Shqipëria ka nevojë për konsultime publike kuptimplota, të shoqëruara me masa konkrete për adresimin e çështjeve të ngritura. Gjithashtu, ligjet e mira duhet të mbështeten me buxhetet e nevojshme për zbatimin e tyre, përfshirë politikat sociale”, nënvizoi ajo.
Sipas saj “procesi i anëtarësimit prek çdo pjesë të shoqërisë. Që rezultatet e tij të jenë të qëndrueshme, ky proces duhet të jetë gjithëpërfshirës. Ne do të ndjekim nga afër çështjet e ngritura gjatë takimit”.

