Tel Aviv, 14 prill Zhurnal.mk – Numri i krimeve të rënda antisemitike në mbarë botën arriti nivelin më të lartë në tre dekadat e fundit gjatë vitit 2025, sipas raportit më të fundit vjetor të publikuar nga Universiteti i Tel Avivit.
Sipas raportit, 20 hebrenj u vranë në katër sulme të ndodhura në tre kontinente gjatë vitit të kaluar, duke shënuar bilancin më të lartë të viktimave nga sulmet antisemitike në më shumë se 30 vite.
Dokumenti, i publikuar të hënën, evidenton gjithashtu një rritje të sulmeve fizike, përfshirë rrahjet dhe hedhjen e gurëve, në një numër të madh vendesh.
Megjithatë, raporti paraqet një tablo komplekse, disa shtete kanë regjistruar ulje të lehta të numrit total të incidenteve, por niveli global mbetet dukshëm më i lartë krahasuar me periudhën para vitit 2022, përpara përshkallëzimit aktual në Lindjen e Mesme.
Ngjarjet pas sulmit të 7 tetorit 2023 në Izrael nga organizata militante islamiste “Hamas”, të cilat u pasuan nga lufta në Gaza dhe përballje ushtarake që përfshinë Izraelin, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Iranin, kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e tensioneve globale.
“Te dhënat ngrenë shqetësimin se një nivel i lartë i incidenteve antisemitike po kthehet në një realitet të normalizuar”, tha redaktori i raportit, Uriya Shavit.
Autorët theksojnë tendenca alarmante në Australi dhe Kanada, ku janë regjistruar nivele rekord të incidenteve.
Në Gjermani, sipas raportit, u regjistruan 5,729 incidente antisemitike në vitin 2025, një rënie nga 6,560 raste në vitin paraardhës, por ende shumë më lart krahasuar me 2,811 raste të raportuara në vitin 2022.
Raporti përmban gjithashtu kritika ndaj qeverisë izraelite, duke argumentuar se ajo nuk ka bërë shumë përpjekje për të luftuar antisemitizmin dhe ka zbehur kuptimin e këtij termi përmes përdorimit të tij më të gjerë në kontekste politike.
Sipas autorëve, kjo qasje mund të dëmtojë përpjekjet ndërkombëtare për të luftuar urrejtjen ndaj hebrenjve.
