Automobilat nuk janë si telefonat inteligjentë – ekranet në vetura mund të jenë më të rrezikshme se ngasja nën ndikimin e alkoolit

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Ekranet me prekje në veturat moderne mund të përbëjnë rrezik serioz për sigurinë në trafik, pasi i shpërqendrojnë shoferët dhe ua largojnë vëmendjen nga rruga.

Sipas një hulumtimi të Qendrës së Teknologjisë të kompanisë së sigurimeve Allianz, në skenarët e testuar, shpërqendrimi nga ekranet digjitale ndikoi në sigurinë e ngasjes më shumë sesa prania e alkoolit në gjak.

Studimi, i prezantuar gjatë ngjarjes Allianz Motor Day 2026, analizoi më shumë se 34 mijë aksidente trafiku, si dhe rezultatet e testeve në simulatorë të ngasjes dhe të studimeve shkencore mbi shpërqendrimin e shoferëve.

Sipas gjetjeve, largimi i syve nga rruga për më shumë se dy sekonda lidhet me rritje të ndjeshme të rrezikut për aksident.

Problemi bëhet edhe më i madh kur funksionet bazë të veturës, si rregullimi i temperaturës dhe i radios, kontrollohen përmes ekraneve që kërkojnë disa prekje dhe navigim nëpër meny.

Në testet e realizuara në simulatorë, ndryshimi ishte veçanërisht i dukshëm në situatat që kërkonin reagim të shpejtë.

Në skenarin e frenimit të papritur në autostradë, përplasjet ndodhën në 18,2 për qind të rasteve kur shoferët ishin të përqendruar, ndërsa kjo përqindje u rrit në 54,3 për qind kur ata ishin të shpërqendruar.

Edhe në skenarin kur një fëmijë del papritur në rrugë, përplasjet u rritën nga 3,9 në 11,2 për qind. Në 39 për qind të rasteve të këtij skenari, shoferët e shpërqendruar nuk reaguan fare.

Hulumtuesit krahasuan rezultatet edhe me simulimet e ngasjes nën ndikimin e alkoolit, me përqendrim prej 0,8 promilësh në gjak.

Në të katër skenarët e testuar, shoferët e shpërqendruar patën rezultate më të dobëta. Megjithatë, këto rezultate u përkasin simulimeve specifike dhe nuk nënkuptojnë se çdo përdorim i ekranit është më i rrezikshëm se ngasja nën ndikimin e alkoolit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër