Tiranë, 13 nëntor, Zhurnal.mk – Autoriteti i Konkurrencës do të marrë nën kontroll ndihmën shtetërore në Shqipëri kompetenca të cilat do të nisin zbatimin pas 1 korrikut të vitit të ardhshëm.
Qeveria ka miratuar dje ndryshimet në projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për ndihmën shtetërore” ku Komisioni aktual i Ndihmës Shtetërore do të pushojë së funksionuari në 2027.
Sipas ndryshimeve, Komisioni i Konkurrencës do të bëhet organi vendimmarrës për ndihmën shtetërore, ndërsa pranë Autoritetit do të krijohet një strukturë e posaçme për shqyrtimin, hetimin dhe monitorimin e skemave të mbështetjes.
Një risi e rëndësishme në projektligj është përfshirja e plotë në fushën e zbatimit të ligjit edhe e sektorëve të bujqësisë, peshkimit dhe akuakulturës, krahas sektorëve të tjerë të prodhimit dhe shërbimeve.
“Ministria përgjegjëse për bujqësinë, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, si dhe institucionet e tjera publike, që administrojnë ose zbatojnë skema të ndihmës shtetërore në sektorët e bujqësisë, peshkimit, gjatë periudhës kalimtare, vënë në dispozicion të Autoritetit të Konkurrencës dokumentacionin, regjistrat, bazat e të dhënave dhe informacionin për skemat ekzistuese dhe ndihmat individuale, sipas procedurave të përcaktuara për procesin e transferimit”, thuhet në projektligj.
Një tjetër ndryshim konkret është detyrimi për dhënësit dhe përfituesit e ndihmës shtetërore, institucionet publike dhe subjektet e tjera që disponojnë informacion të nevojshëm, për të bashkëpunuar me Autoritetin e Konkurrencës dhe për të dorëzuar dokumentacionin e kërkuar brenda afateve të përcaktuara.
Mosdhënia e informacionit, paraqitja e të dhënave të pasakta ose të rreme, mosraportimi dhe moszbatimi i vendimeve të Komisionit të Konkurrencës do të përbëjnë shkelje administrative.
Autoriteti do të ketë gjithashtu kompetencë të urdhërojë pezullimin, ndryshimin ose kthimin e ndihmës shtetërore të paligjshme ose të papajtueshme me ligjin.
Projektligji parashikon që Autoriteti i Konkurrencës të paraqesë në Kuvend, deri më 30 qershor të çdo viti, raportin për zbatimin e rregullave të ndihmës shtetërore gjatë vitit pararendës.
Ndryshimet synojnë përqendrimin e kontrollit të ndihmës shtetërore në një institucion të pavarur, rritjen e transparencës dhe forcimin e mbikëqyrjes mbi mënyrën se si përdoren fondet publike për mbështetjen e bizneseve.
Projektligji parashikon gjithashtu përafrimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor shqiptar me rregullat e Bashkimit Evropian për ndihmën shtetërore.
Ky projektligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

