Avokati i Popullit: Blloku i sigurisë i mbingarkuar, policia të ruajë menjëherë pamjet filmike të protestës dhe të ambienteve

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 21 tetor, Zhurnal.mk – Komisioneri i Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, që është njësi e Avokatit të Popullit, Ahmet Prençi informoi sot mbi gjetjet nga monitorimi i 24 orëve të fundit në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut gjatë protestës dhe me trajtimin e personave të shoqëruar dhe të lënduar.

Prençi bëri të ditur se gjetjet e sotme janë paraprake, hetimi i thelluar vazhdon dhe do të njoftohet brenda afateve ligjore.

Gjatë ditës së 20 tetorit, ekipe të Avokatit të Popullit kanë inspektuar Komisariatin e Policisë nr. 2, Bllokun e Sigurisë dhe Spitalin e Traumës. Komisariatet nr. 1, 5 dhe 6 nuk kishin persona të shoqëruar gjatë inspektimit, dhe për këtë arsye nuk janë pjesë e këtij monitorimi.

Sipas të dhënave, në Komisariatin nr. 2 ndodheshin dy persona madhorë, të cilët u liruan gjatë monitorimit. Ndërkohë, në Bllokun e Sigurisë, në momentin e inspektimit, ndodheshin 118 persona, nga të cilët 36 ishin arrestuar gjatë orëve të fundit. Në këtë ambient mbaheshin edhe gjashtë të mitur.

Gjatë monitorimit u administruan gjashtë ankesa nga persona të arrestuar, të cilat lidhen me pretendime për dhunë gjatë ndalimit ose shoqërimit policor.

Në Spitalin e Traumës u konstatuan gjashtë protestues të shtruar, njëri prej të cilëve i mitur, në ndryshim nga 34 personat që kishin marrë trajtim mjekësor një ditë më parë.

Lidhur me pretendimet për përdorim të dhunës, Avokati i Popullit bëri të ditur se në Bllokun e Sigurisë janë raportuar raste dëmtimesh trupore, përfshirë dëmtime në kokë dhe në sy. Gjithashtu, pamjet filmike të publikuara nga protesta dhe ato të dërguara nga qytetarët po analizohen për të verifikuar rrethanat dhe për të identifikuar përgjegjësit e mundshëm.

Një tjetër shqetësim i evidentuar gjatë monitorimit lidhet me gjendjen e një personi të arrestuar, i cili vijonte të qëndronte i shtruar në Spitalin e Traumës, i prangosur në krevat dhe nën mbikëqyrjen e një punonjësi policie.

Sipas Prençit, personi pretendonte se ishte dhunuar gjatë arrestimit dhe kishte pësuar dëmtim të rëndë në sy.

Sa u përket kushteve të qëndrimit në Bllokun e Sigurisë, Avokati i Popullit evidentoi mbipopullim, pasi në dhoma të parashikuara për një person qëndronin tre deri në katër persona, ndërsa të paktën dy persona raportohet se flinin në dysheme. Kapaciteti zyrtar i këtij ambienti është 67 persona, ndërsa gjatë inspektimit u konstatuan 118 persona.

Gjatë monitorimit u evidentuan gjithashtu problematika në trajtimin e të miturve. Sipas Avokatit të Popullit, nuk u identifikua një dhomë e veçantë për fëmijët në Bllokun e Sigurisë, ndërsa ankesat e tyre lidheshin me kufizimet për kontaktin me familjen dhe avokatin, si dhe me mungesën e psikologut gjatë marrjes në pyetje.

Në lidhje me këto gjetje, Avokati i Popullit i kërkon Policisë së Shtetit të ruajë menjëherë pamjet filmike të protestës dhe të ambienteve të policisë, të vërë në dispozicion dokumentacionin për shoqërimet dhe arrestimet, si dhe të garantojë identifikimin e punonjësve dhe automjeteve të përfshira në operacionet policore.

Gjithashtu Avokati i Popullit kërkoi gjithashtu dokumentimin e garancive ligjore për të miturit dhe sqarimin e rrethanave të prangosjes së personit të shtruar në spital, përfshirë arsyet, kohëzgjatjen dhe përgjegjësit për marrjen e këtij vendimi.

Nga Ministria e Brendshme u kërkua marrja e masave për rikthimin e Bllokut të Sigurisë në kapacitetin e tij normal prej 67 personash dhe sistemimi i personave të tjerë në ambiente që përmbushin standardet e kërkuara. Ndërsa Ministrisë së Shëndetësisë iu kërkua të garantojë praninë e mjekëve në çdo kohë në ambientet e shoqërimit dhe dokumentimin mjekësor të çdo dëmtimi trupor.

Avokati i Popullit theksoi se e drejta për tubim paqësor garantohet nga Kushtetuta dhe se përdorimi i forcës nga policia duhet të jetë i ligjshëm, i domosdoshëm dhe proporcional. Institucioni bëri të ditur se do të vijojë monitorimin e zbatimit të kërkesave dhe, në rastet kur konstatohen shkelje të ligjit dhe përgjegjësi penale, do t’ia referojë çështjet prokurorisë.

Avokati i Popullit i bën thirrje qytetarëve që pretendojnë se u janë cenuar të drejtat gjatë protestës ose shoqërimit në polici të paraqesin ankesa individuale pranë institucionit, përmes numrave të telefonit, faqes zyrtare ose rrjeteve sociale, duke garantuar ruajtjen e konfidencialitetit të tyre.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër