Prishtinë, 19 gusht, Zhurnal.mk – Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka reaguar për ngërçin politik në vend dhe moskonstituimin e Kuvendit, duke kritikuar mungesën e një marrëveshjeje mes partive politike.
Bajrami në një postim në Facebook ka ngritur pyetjen pse vendi po shkon vazhdimisht drejt zgjedhjeve, në një kohë kur, sipas saj, moskonstituimi i Kuvendit nuk e shmang një skenar të tillë.
Lexoni të plotë postimin e saj
Që tri herë zgjedhje, për të shkuar prapë në zgjedhje. Pse?
Nga “s’bën qerrja para kalit”, deri te “nuk e konstituojmë Kuvendin pa marrëveshje politike, sepse nëse e bëjmë vendi shkon në zgjedhje” – janë arsyetimet me banale të cilat nga dhjetori i vitit 2024 po e mbajnë Kosovën pa institucione legjitime.
E derisa kjo sagë vazhdon dhe tolerohet, nuk ka pothuajse asnjë sferë të jetës në Kosovë që nuk ka degraduar, asnjë të vetme.
Tash thonë: ”nuk e konstituojmë Kuvendin pa marrëveshje për Presidentin, sepse nëse s’ka marrëveshje, vendi shkon në zgjedhje”.
Po nëse nuk e konstituoni Kuvendin, vendi prapë shkon në zgjedhje.
Atëherë, çfarë po përpiqeni të shmangni?
Prandaj, sot secili qytetar i Kosovës ka të drejtë të pyesë:
Çka po don Albin Kurti?
Pse po e shtyn vendin vazhdimisht drejt zgjedhjeve?
Kujt i shërben një Kosovë pa Kuvend funksional dhe pa institucione legjitime?
Që tri herë po shkojmë në zgjedhje, për të përfunduar përsëri në zgjedhje.
Pse?.
