Balla: Debatet në grupin parlamentar, pjesë e demokracisë së PS-së

Nga D. V.
169 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 20 prill Zhurnal.mk – Deputetët e Partisë Socialiste zhvilluan sot mbledhjen e radhës së grupit parlamentar në Kryesinë e Kuvendit, e drejtuar nga kreu i grupit parlamentar Taulant Balla.

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes, Balla theksoi se gjatë mbledhjes janë zhvilluar diskutime dhe debate mes deputetëve lidhur me disa projektligje dhe amendime të propozuara.

PO ashtu, Balla theksoi se PS ka një rregull të qartë: në fund të çdo sesioni parlamentar bëhet një analizë e performancës së çdo deputeti. Ai nënvizoi se ky është një proces rutinë që zbatohet për të gjithë, pa përjashtim.

I pyetur nëse ato që perceptohen në publik si kritika nga Spiropali,  janë shprehur në mbledhjet e grupit, Balla u përgjigj shkurt se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Ndërkohë, ai u ndal edhe tek procesi i rienergjizimit të Partisë Socialiste, duke e cilësuar si një fazë të rëndësishme komunikimi me qytetarët dhe rritjeje të anëtarësimeve të reja. Balla tha se procesi po ecën sipas pritshmërive dhe bëri thirrje për angazhimin e të rinjve, duke e lidhur këtë me objektivin strategjik të integrimit në Bashkimin Europian.

Ky proces, sipas tij, lidhet drejtpërdrejt edhe me përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027, ku PS synon të garojë për të fituar në të gjitha bashkitë. Në këtë kuadër, ai theksoi se rienergjizimi i partisë shërben edhe për evidentimin e kandidatëve potencialë.

Në lidhje me reformën administrative-territoriale, Balla u shpreh se nuk është e rëndësishme numri i bashkive, por përmirësimi i shërbimeve për qytetarët. Ai njoftoi se do të zhvillohen dëgjesa në të gjithë vendin për të marrë mendimet e qytetarëve dhe për të përmirësuar reformën ekzistuese.

Sa i përket nismave ligjore, Balla bëri me dije se amnistia penale kërkon më shumë kohë për shqyrtim dhe analizë, duke qenë një proces i ndjeshëm. Ndërkohë, për Kodin e Procedurës Penale, ai sqaroi se nuk është në “sirtar”, por në procedurë normale kuvendore dhe do të diskutohet në momentin e duhur.

Në fund, i pyetur për një kërkesë për rezolutë nga PS të xhaxhait të një prej viktimave të 21 janarit, Aleks Nikës, Balla tha se kjo do të vlerësohet në bazë të analizave institucionale, pa dhënë një përgjigje përfundimtare.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër