Shkup, 10 nëntor, Zhurnal.mk – Banka Popullore njoftoi se vazhdon me lehtësimin gradual të kushteve për disponimin e mjeteve dhe përdorimin e shërbimeve bankare për klientët e “ALTA Banka” SHA Manastir. Në kuadër të aktiviteteve për sigurimin e qasjes më të lehtë në mjetet financiare dhe kryerjen e pandërprerë të obligimeve të përditshme financiare, klientët e bankës nga sot, më 10 nëntor, do të mund t’i përdorin shërbimet e bankarisë elektronike dhe mobile, në përputhje me limitin prej 15.000 denarësh në javë për klientët që posedojnë kartela pagesore dhe deri në 20.000 denarë (për dy javë) për ata që nuk posedojnë kartela, informon NBRMV.
“Limiti zbatohet në mënyrë të përbashkët për të gjitha llogaritë në bankë dhe përfshin këto kanale: pagesa me kartela në tregti ose tregti elektronike, tërheqje të parave të gatshme nga bankomatet, tërheqje të parave në sportel në ekspozitura, si dhe pagesa përmes bankarisë elektronike dhe mobile.
Gjithashtu, nga nesër do të fillojë me punë edhe një ekspoziturë e ‘ALTA Banka’ SHA Manastir në Shkup, konkretisht ekspozitura në Qendrën Tregtare ‘Biser’, në adresën bulevardi ‘Jane Sandanski’ nr. 1/1. Me hapjen e kësaj ekspoziture, klientët e bankës nga Shkupi dhe rrethina do të kenë qasje më të lehtë në shërbimet bankare, pa pasur nevojë të udhëtojnë në qytete të tjera.
Vazhdojnë me punë edhe ekspoziturat në Manastir, Strumicë dhe Tetovë, ku klientët mund të përdorin shërbimet që u ishin mundësuar deri më tani, përkatësisht tërheqjen e parave të gatshme në sportel brenda kufizimeve të përcaktuara, si dhe pagesat për shlyerjen e shërbimeve komunale, kthimin e kredive dhe nevoja të tjera.”
Banka Popullore, shtojnë nga atje, vazhdon ta ndjekë me kujdes gjendjen në “ALTA Banka” SHA Manastir dhe të ndërmarrë aktivitete për zgjerimin gradual të qasjes në shërbimet bankare, me prioritet që t’u mundësohet të gjithë klientëve qasje më e lehtë në mjetet e tyre dhe kryerje e pandërprerë e shërbimeve pagesore.
“‘ALTA Banka’ SHA Manastir vazhdon të funksionojë, ndërsa administrata e përkohshme është masë mbrojtëse që zbatohet deri në zgjidhjen e çështjes së pronësisë. Prioritet i Bankës Popullore mbetet mbrojtja e interesave të klientëve dhe ruajtja e stabilitetit të Bankës”, thuhet në njoftim.

