Shkup, 21 prill, Zhurnal.mk – Partia Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj qeverisë së udhëhequr nga Hristijan Mickoski, duke e akuzuar atë për përkeqësim të gjendjes ekonomike, bllokim të procesit të integrimit europian dhe cenim të të drejtave të shqiptarëve në vend.
Në një deklaratë publike, BDI thekson se premtimet e kësaj qeverie për rritje ekonomike dhe standard më të lartë jetese nuk janë realizuar.
Sipas tyre, zotimet për paga prej 1.000 euro dhe investime rekord janë zëvendësuar me një rritje të kostos së jetesës, ku shporta minimale mujore ka arritur në rreth 68.797 denarë.
Partia opozitare BDI, gjithashtu thekson një rënie të investimeve të huaja direkte, duke e cilësuar atë ndër më të ulëtat në rajon, si dhe një inflacion të lartë kumulativ në vitet e fundit. “Tregu e ka dhënë verdiktin e tij përmes largimit të kapitalit”, thuhet në reagim.
Sa i përket integrimit europian, nga BDI vlerësojnë se rruga drejt Bashkimit Evropian mbetet e bllokuar, duke e fajësuar qeverinë për mosrespektim të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe mungesë vullneti politik për avancimin e procesit. Në deklaratë krahasohet situata e vendit me shtete të tjera të rajonit që kanë bërë përparime në këtë drejtim.
BDI ngre shqetësime edhe për pozitën e shqiptarëve, duke pretenduar se të drejtat e tyre po vihen në pikëpyetje, përfshirë çështje që lidhen me Marrëveshja e Ohrit, përdorimin e gjuhës dhe përfaqësimin institucional.
Në të njëjtën kohë, partia kritikon edhe rolin e koalicionit qeverisës “VLEN”, duke pretenduar se ai nuk ka autonomi të plotë në vendimmarrje.
Në fund, Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon llogaridhënie të menjëhershme nga qeveria, duke vlerësuar se qytetarët meritojnë standard më të lartë jetese dhe perspektivë më të qartë europiane.
