Shkup, 21 korrik, Zhurnal.mk – BDI përmes një komunikate publike shpreh shqetësim të thellë për ndotjen e ujit të pijshëm në Gostivar dhe rrezikun serioz që kjo situatë paraqet për shëndetin e qytetarëve.
“Siguria e ujit të pijshëm është e drejtë themelore e njeriut, dhe çdo neglizhencë institucionale në garantimin e saj është e papranueshme.
Institucionet kompetente duhet menjëherë, me përgjegjësi dhe transparencë të plotë, të veprojnë për të përcaktuar burimin e kontaminimit, përgjegjësinë institucionale dhe të sqarojnë nëse janë ndërmarrë në kohë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e qytetarëve. Çdo vonesë ose fshehje e informacionit vetëm e rrit pasigurinë dhe e dëmton besimin e publikut”, thuhet nga selia e BDI-së.
BDI thekson se mbështet plotësisht çdo hetim profesional dhe të pavarur që do të zbardhë rastin, do të mbrojë shëndetin e qytetarëve dhe do të sigurojë që çdo person përgjegjës të përballet me drejtësinë.
“Kërkojmë informim të rregullt dhe transparent të publikut, furnizim të pandërprerë me ujë të sigurt për familjet e prekura, si dhe kontrolle laboratorike të vazhdueshme deri në konfirmimin zyrtar se uji është plotësisht i sigurt për përdorim.
Shëndeti i qytetarëve duhet të jetë mbi çdo interes tjetër. Përgjegjësia, transparenca dhe veprimi i shpejtë janë detyrim institucional, jo zgjedhje”, përfundon komunikata e BDI-së.
