Shkup, 19 mars – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj të dhënave të fundit ekonomike, duke theksuar se prodhimi industrial në vend ka shënuar rënie të theksuar.
Sipas komunikatës së partisë, duke iu referuar shifrave zyrtare të Enti Shtetëror i Statistikave, prodhimi industrial ka rënë me 9.4% krahasuar me janarin e vitit të kaluar.
BDI vlerëson se kjo rënie është dëshmi se mbi 200 milionë euro nga kredia hungareze nuk kanë prodhuar efekt në zhvillimin ekonomik të vendit. Nga kjo parti theksojnë se ende mungon transparenca për mënyrën e shpërndarjes së këtyre mjeteve dhe përfituesit konkretë të tyre.
“Ende nuk dihet se ku kanë përfunduar këto fonde dhe cilat kompani kanë përfituar,” thuhet në reagim.
Më tej, partia nënvizon se të dhënat tregojnë edhe një rënie prej 3.6% të numrit të të punësuarve në sektorin industrial, duke e cilësuar këtë si një sinjal alarmi për ekonominë dhe standardin jetësor të qytetarëve.
Sipas BDI-së, gjendja ekonomike në vend po përkeqësohet vazhdimisht, ndërsa akuzon qeverinë për mungesë të masave konkrete në mbështetje të qytetarëve, në një kohë kur buxheti përballet me presione serioze.
Në fund, BDI u bën thirrje institucioneve kompetente që urgjentisht të publikojnë listën e kompanive përfituese nga kredia hungareze, duke kërkuar nga qeveria të informojë qytetarët për mënyrën e shpërndarjes së fondeve dhe përdorimin e tyre.
“Qytetarët do të jenë ata që do të mbajnë barrën e kthimit të kësaj kredie, prandaj meritojnë transparencë të plotë,” theksohet në komunikatë.
