Shkup, 25 mars, Zhurnal.mk – Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar lidhur me situatën në sektorin energjetik, duke theksuar se prodhimi i energjisë elektrike nga termoelektranat në muajin janar ka shënuar rënie të ndjeshme.
Sipas BDI-së, të dhënat e publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave konfirmojnë se prodhimi bruto nga termoelektranat është ulur për 22.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Nga BDI thonë se kjo mungesë në prodhim është kompensuar plotësisht përmes blerjes së energjisë elektrike bazë, duke shtuar se energjia është siguruar nga TE-TO, një informacion që sipas tyre është publikisht i qasshëm, transmeton Zhurnal.mk.
BDI i bën thirrje ESM që të publikojë të gjitha thirrjet publike dhe kontratat për blerje-shitje të energjisë elektrike, me qëllim që qytetarët të kenë transparencë të plotë mbi menaxhimin e kapaciteteve elektroenergjetike të vendit.
