Shkup, 17 mars, Zhurnal.mk – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj situatës ekonomike në vend, duke akuzuar Qeverinë për mungesë të masave konkrete për mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve.
Sipas BDI-së, ajo që kjo parti kishte paralajmëruar më herët tashmë po ndodh, ndërsa qytetarët po përballen me rritje të çmimeve dhe mungesë reagimi institucional.
Nga kjo parti theksojnë se Republika e Maqedonisë së Veriut aktualisht funksionon pa një Ministri të Ekonomisë funksionale, në një kohë kur pritet rritje e konsiderueshme e çmimeve të produkteve bazë, kostove të transportit dhe, në përgjithësi, shtrenjtim i jetesës.
BDI paralajmëron se, nëse nuk ndërmerren masa urgjente, çmimet mund të rriten mbi 10%, duke rënduar ndjeshëm buxhetet familjare.
“Qytetarët janë lënë në mëshirë të fatit, ndërsa Qeveria nuk po tregon kapacitet për të menaxhuar krizat ekonomike, edhe kur ato ndodhin mijëra kilometra larg vendit,” thuhet në reagimin e partisë.
Nga BDI kërkojnë shkarkimin e Ministrit të Ekonomisë, duke vlerësuar se ai nuk ka vizion dhe plan konkret për përballimin e krizave aktuale.
Në fund, partia i bëri thirrje Qeverisë që të shqyrtojë seriozisht propozimet e saj, duke theksuar se do të japë mbështetje të plotë për çdo masë që synon mbrojtjen e qytetarëve dhe që procedohet për miratim në Kuvend.
