Bashkimi Evropian dënoi fuqimisht sanksionet e SHBA-së kundër pesë figurave të shquara evropiane, të përkushtuara ndaj rregullimit të teknologjisë, përfshirë ish-komisionerin evropian Thierry Breton.
”Bashkimi Evropian ka kërkuar shpjegime nga autoritetet amerikane”, tha sot Komisioni Evropian.
“Ne kemi kërkuar sqarime nga autoritetet amerikane (…). Nëse është e nevojshme, ne do të përgjigjemi shpejt dhe me vendosmëri për të mbrojtur autonominë tonë rregullatore kundër masave të pajustifikuara”, deklaroi Komisioni Evropian në një njoftim për shtyp.
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur ndalim hyrjeje për pesë persona për shkak të censurës së supozuar të platformave online amerikane, tha Departamenti amerikan i Shtetit.
Midis të prekurve janë dy drejtorë menaxhues të organizatës gjermane ”HateAid”, e cila bën fushatë kundër abuzimit online.
Departamenti i Shtetit tha se ndalimi vlen për Anna-Lena von Hodenberg dhe Josephine Ballon, tha zëvendëssekretarja e Shtetit, Sarah Rogers në X.
Von Hodenberg u vlerësua me Urdhrin Federal të Meritës të Gjermanisë në tetor në njohje të punës së saj kundër dhunës dixhitale.
”HateAid”, e themeluar në vitin 2018, konsiderohet si qendra e parë kombëtare e këshillimit në Gjermani për njerëzit e prekur nga abuzimi online.
Ndalimi i hyrjes synon gjithashtu ish-komisionerin francez të BE-së Thierry Breton, i cili konsiderohet si një nga arkitektët e Aktit të Shërbimeve Digjitale të BE-së, legjislacion që rregullon platformat online.
Dy individë të tjerë të emëruar nga Departamenti i Shtetit janë Imran Ahmed, themelues i Qendrës për Kundërshtimin e Urrejtjes Digjitale SHBA/MB, dhe Clare Melford, themeluese e Indeksit Global të Dezinformimit me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.
Të dy organizatat punojnë për të luftuar gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin në internet.

