Tiranë, 22 prill, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, PD ka detyrimin madhor për të vazhduar protestat e fuqishme, për të vazhduar kryengritjen paqësore.
Në fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Berisha përshëndeti qytetarët që morën pjesë në protestën e fundit, duke deklaruar se “dhjetëra mijëra qytetarë të premten e kaluar me pjesëmarrjen e tyre në kryengritjen paqësore u bënë zëri i qytetarëve në Shqipëri, në Europë dhe në botë”.
Ai gjithashtu shprehu mbështetje për personat e ndaluar pas protestës.
Berisha u ndal edhe te protesta e 17 prillit, për të cilën tha se sulmi ndaj deputetëve ishte i planifikuar dhe i organizuar,
“Shpreh revoltën më të madhe, denoncimin më të ashpër për sulmin brutal që u bë ndaj deputetëve tanë në protestën e 17 prillit”.
Në vijim, ai deklaroi se, “ishte sulm i planifikuar dhe i organizuar në të cilin u përdorën ndaj deputetëve dhe protestuesve të gjitha mjetet e dhunës, granata, spraj ariu, spraj toksik, plumba gome, pompa uji dhe shishe molotov”.
Berisha gjithashtu bëri thirrje për vijimin e protestave, duke u shprehur se, “PD ka detyrimin madhor për të vazhduar protestat e fuqishme, për të vazhduar kryengritjen paqësore”.
