Tiranë, 19 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se nuk mund të ketë dialog me kryeministrin Edi Rama dhe se zgjidhja politike duhet të vijë përmes largimit të tij nga pushteti.
Gjatë një konference për shtyp, Berisha tha se Rama ka bllokuar rotacionin politik, përmes manipulimit të zgjedhjeve dhe krimit.
“Koha është kritike. Kurrë ndonjëherë më shumë se sot shqiptarët nuk janë thirrur që të marrin në dorë fatin e tyre. Ata nxënës, studentë po luftojnë si luanë sepse narkodiktatori, bastardi i xhelatëve komunistë rrëmben votat me vrasës, trafikantë dhe banditë, bllokon rotacionin”, deklaroi Berisha.
“Ndaj dhe çlirimi prej tyre, largimi i tij i menjëhershëm. Nuk ka dialog Edi Rama me ty, ja ta them dhe unë. E di pse nuk ka dialog? Sepse ti dialogun e do me ata që do vetë. Por ata që do ti, ata janë kukullat tua. Ata që do ti janë puthadorët e tu. Jep dorëheqjen që të bëhet zgjidhje politike. Kthim prapa kjo revoltë nuk ka. Koha thërret shqiptarët dhe njëherë në orën e tyre të historisë. Të hidhen në anën e studentëve”, vijoi ai.
Berisha u bëri thirrje mësuesve të Shqipërisë të mbështesin nxënësit dhe studentët që po protestojnë, ndërsa ftoi qytetarët të solidarizohen me ta.
“Unë u bëj thirrje mësuesve të Shqipërisë, të cilët sot sipas Edi Ramës nuk vlejnë as sa çizmet e policit, të qëndrojnë në anën e nxënësve të tyre. Të qëndrojnë në anën e studentëve të tyre. Të qëndrojnë të pamposhtur sepse nxënësit dhe studentët po rrezikojnë jetën e tyre vetëm e vetëm që të lulëzojnë, të zhvillojnë ëndrrën e tyre në këtë vend. I bëj thirrje mbarë qytetarëve të solidarizohen”, tha ai.
Gjithashtu, Berisha i bëri thirrje edhe Kryqit të Kuq Ndërkombëtar që të ndërmjetësojë për krijimin e korridoreve të ndihmës, me qëllim asistimin e personave të plagosur gjatë protestave.
“I bëj thirrje Kryqit të Kuq ndërkombëtar të ndërmjetësojë urgjentisht për krijimin e korridoreve në mënyrë që të ndihmohen të plagosurit dhe jo të krijohen salla makabre si ajo e Ministrisë së Arsimit ku me dhjetëra e dhjetëra protestues me ndjenja të humbura ose gjysmë të humbura ishin përplasur në dysheme”, tha Berisha.
