Berisha: PD kundër projektbuxhetit 2027, paketa fiskale godet bizneset

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 17 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi projektbuxhetin për vitin 2027 dhe paketën e re fiskale të qeverisë si antikushtetuese, të paligjshme dhe me pasoja të rënda për ekonominë, biznesin dhe qytetarët shqiptarë.

Në mbledhjen me grupin parlamentar të PD-së ditën e sotme, Berisha tha se qeveria e ka hartuar paketën fiskale në fshehtësi të plotë dhe pa respektuar detyrimin ligjor për konsultim publik.

Sipas tij, ndryshimet e propozuara cenojnë sigurinë juridike të bizneseve, kontratat ekzistuese dhe parashikimet ekonomike, duke krijuar pasiguri për sipërmarrjen dhe investitorët e huaj.

“Ky buxhet, në kundërshtim me përcaktimet e qarta ligjore, ka shkelur çdo lloj afati të parashikuar për konsultime publike. Është përgatitur në fshehtësinë më të madhe sikur të ishte dokumenti më sekret i shtetit, jo dokumenti me implikacione direkte, implikacione të mëdha në xhepat e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Me implikacione të mëdha në të gjitha kontratat ekzistuese sot në këtë vend”, tha ai.

Berisha u ndal te rritja e taksës së dividentit, ndryshimet në TVSH, taksimi i profesioneve të lira dhe masat që prekin biznesin e vogël, duke paralajmëruar se këto vendime do të sjellin rritje të çmimeve të shërbimeve dhe produkteve bazë, si dhe do të rëndojnë më tej qytetarët, veçanërisht shtresat në nevojë.

Ai tha se qeveria, ndërsa shpall paqen fiskale për subjektet informale, ndëshkon bizneset e ndershme që kanë respektuar detyrimet ligjore.

“Kjo paketë ndëshkon biznesin e ndershëm. Në një anë shpall paqen fiskale me ata, të cilët kanë fshehur vite e stërvite veprimtarinë e tyre, kurse bizneseve të ndershme iu bie me satër. Këta në vend që të merren me formalizimin e ekonomisë, këta godasin biznesin e ndershëm. Gjithçka bazohet në parime të kundërta me ato që duhet të udhëhiqet praktika dhe qëndrimi zyrtar ndaj biznesit”, u shpreh Berisha.

“Vende të tëra nuk kanë fare taksë për dividentin. Vendet përreth e kanë shumë më të ulët.  Pra, është një paketë e cila në fakt i jep një goditje shumë të rëndë biznesit. I jep një goditje të rëndë biznesit të vogël. I jep një goditje të rëndë profesioneve të lira. Shtresës së mesme apo klasës së mesme që është plazma e një shoqërie dhe të gjitha shkojnë në favor të klientelës së tij”, tha ai.

Kryetari i PD-së theksoi se kundër paketës janë shprehur edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë, Dhoma Gjermane dhe organizata të tjera përfaqësuese të biznesit, të cilat kanë kërkuar anulimin e saj. Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për rënien e investimeve të huaja dhe përqendrimin e ekonomisë në sektorin e ndërtimit dhe kullat në Tiranë.

Duke e cilësuar projektbuxhetin si më antipopullorin dhe më antikushtetuesin e 36 viteve, Berisha deklaroi se qëndrimi i opozitës ndaj tij do të jetë kategorikisht kundër.

“Një buxhet që shkel parimet kushtetuese të vendit, shkel ligjet bazë të biznesit, të tregtisë. Shkel qindra mijëra kontrata ekzistuese, marrëveshje, parashikime, plane, projekte. Unë përgëzoj të gjithë deputetët të cilët në mënyrë intensive e kanë kundërshtuar këtë buxhet, këtë paketë fiskale dhe sigurisht që qëndrimi ynë do i jetë i prerë, kategorik kundër tij, duke e konsideruar këtë si buxhetin më të paligjshëm, se është i paligjshëm, është antikushtetues”, përfundoi Berisha.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër