Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se me mbrojtjen që po i bëhet zëvendëskryeministres Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë po kërcënohet integrimi i vendit në Bashkimin Europian.
Gjatë një konference për shtyp, Berisha u shpreh se “Edi Rama, në kundërshtim flagrant me të gjitha zotimet që rrjedhin nga procesi i integrimit, po fakton se ai për interesa të pushtetit të tij është i aftë të marrë çdo vendim pavarësisht se bllokon plotësisht procesin e integrimit në BE”.
“Lajmet që vijnë nga kancelaritë evropiane, por edhe nga Brukseli, dëshmojnë se Edi Rama është në rreth të kuq. Burime shumë serioze informojnë se për diskutimet e gjera që po zhvillohen në kancelaritë evropiane dhe në BE, në të cilat nuk përjashtohet edhe opsioni i zhbërjes së plotë të procesit të integrimit në BE për shkak të këtyre qëndrimeve antikushtetuese, antidemokratike, antiligjore që mban Edi Rama në rastin e dosjes Balluku dhe AKSHI”, tha Berisha.
Sipas Berishës, rruga e vetme është kryengritja paqësore më 10 shkurt.
“10 shkurti është dita e çdo qytetari, është dita e dinjitetit, e guximit, e kurajës, e vendosmërisë për të marrë fatin në duar”, shtoi Berisha.
“Kemi marrë dijeni për zhvillimet në kancelaritë evropiane dhe në BE, por ne jemi të sigurt se pavarësisht nga vendimet, nuk vjen njeri për ta larguar, do ta largojmë ne Edi Ramën.
Ky është gjithnjë qëndrimi ynë”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, zhbërja e procesit të integrimit e nxjerr Shqipërinë në një orbitë krejtësisht tjetër.
