Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës me gazetarët ditën e sotme njoftoi datën e re të protestës kombëtare që do të zhvillojë opozita.
Berisha tha se më datën 10 shkurt në orën 17:00 në Tiranë do të zhvillohet protestë masive, duke e cilësuar revoltën qytetare si të vetmen rrugë për largimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama duke ftuar qytetarët të bashkohen me opozitën.
“Revolta dhe vetëm revolta është përgjigja e merituar e sovranit ndaj këtij grupi që nuk ka ligj, kushtetutë e as moral. Revolta dhe vetëm revolta është rruga e daljes, e përmbysjes së diktaturave autokratike, njëlloj si në vendet e tjera”, tha Berisha
Gjatë fjalës së tij, Berisha akuzoi qeverinë për korrupsion, vjedhje dhe kapje të shtetit, duke e quajtur atë një organizatë kriminale dhe duke kërkuar krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të ndershme.
Berisha deklaroi se opozita mbështet iniciativën e një grupi intelektualësh për bashkimin e forcave opozitare.
“PD ka mbështetur plotësisht iniciativën e këtij grupi intelektualësh të cilët janë të përkushtuar për bashkimin e të gjitha forcave politike opozitare dhe faktorëve të tjerë në betejë, kundër qeverisë”, u shpreh Berisha.
Berisha përjashtoi çdo bashkëpunim me mazhorancën, duke e lidhur atë me mbrojtjen e aferave korruptive dhe bllokimin e drejtësisë.
Në reagim ndaj deklaratave të raportuesit të Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, Berisha u shpreh se BE duhet të kërkojë respektimin e standardeve evropiane, veçanërisht dorëheqjen dhe heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë kur përballen me hetime penale, duke e cilësuar këtë si standard etik dhe moral të domosdoshëm në një shtet ligjor.

