Betim Fazliji i bashkohet Kosovës për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Betim Fazliji i është bashkuar Kombëtares së Kosovës për dy ndeshjet e fundit të këtij edicioni të Ligës së Kombeve.

Mbrojtësi i St. Gallenit do të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Franco Foda për përballjet ndaj Izraelit dhe Irlandës, pasi FFK-ja ka konfirmuar ardhjen e tij në kampin e “Dardanëve”.

Kosova po përgatitet për dy sfida të rëndësishme në Grupin B3, ku synon ta përfundojë edicionin me rezultate pozitive. Aktualisht, pas katër ndeshjeve të zhvilluara, ekipi kombëtar renditet i dyti me pesë pikë, tri më pak se Austria që kryeson grupin.

Ndeshja e parë do të zhvillohet më 14 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku Kosova do të jetë nikoqire e Izraelit, ndërsa tri ditë më vonë do të përballet me Republikën e Irlandës në Dublin.

Fazliji, 27-vjeçar, është një futbollist që mund t’i ofrojë Fodës alternativa në repartin defensiv.

Mbrojtësi kishte kaluar një periudhë të vështirë për shkak të lëndimeve, por në maj të këtij viti ishte rikthyer në grumbullimin e Kosovës pas një kohe të gjatë.

Sipas të gjitha gjasave Fazliji do të jetë zëvendësues i Lumbardh Dellovës, me këtë të fundit që mbetet në dyshim shkaku i disa shqetësimeve pas një lëndimi të pësuar me klubin.

artikuj të ndërlidhura