Shkup, 19 korrik, Zhurnal.mk – Qindra mërgimtarë që po udhëtojnë drejt vendeve të Ballkanit, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, janë përballur me pritje të gjata në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë, pasi autoritetet kroate kanë ndaluar përkohësisht lëvizjen e automjeteve dhe autobusëve drejt pikës kufitare me Serbinë.
Sipas informacioneve të para, ndalimi i qarkullimit ka shkaktuar kolona të gjata automjetesh dhe autobusësh, ndërsa shumë udhëtarë kanë mbetur të bllokuar në pritje për të vazhduar rrugën.
Ermina Përlaskaj, këshilltare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kroacisë deklaroi se është fluksi i madh i udhëtarëve gjatë sezonit turistik si dhe shtoi se kjo pikë përfaqëson për shumë udhëtarë pikën e parë të zonës Shengen.
“Arsyeja kryesore e kolonave të gjata në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë është kulmi i sezonit turistik veror dhe ndërrimi i turistëve gjatë fundjavës. Pika kufitare Bajakovë-Batrovc mbetet më e ngarkuara, pasi përmes saj kalon numri më i madh i udhëtarëve nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Greqia dhe Turqia drejt Kroacisë dhe vendeve të Evropës Perëndimore. Duhet pasur parasysh se Kroacia është pjesë e zonës Shengen, që do të thotë se për shumë udhëtarë kjo pikë kufitare përfaqëson hyrjen e parë në hapësirën Shengen. Për këtë arsye, autoritetet kufitare kroate kryejnë kontrolle të detajuara të dokumenteve dhe kushteve të hyrjes, gjë që zgjat kohën e përpunimit të çdo automjeti dhe krijon kolona të gjata, veçanërisht gjatë fundjavave dhe muajve të verës, kur fluksi i udhëtarëve është shumë i madh”, tha ajo, transmeton Zhurnal.mk.
Në këtë periudhë të vitit, kur mijëra mërgimtarë nga Evropa Perëndimore udhëtojnë drejt Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit për pushimet verore, çdo ndërprerje e qarkullimit në këtë korridor rrugor ndikon në rritjen e kohës së pritjes dhe krijimin e kolonave të gjata.
