Londër, 10 gusht Zhurnal.mk – Një plan i ri i Reform UK për sistemin e burgjeve në Britani po e vendos Shqipërinë në qendër të debatit për kthimin e të dënuarve , ndërsa Kosova përmendet si një prej vendeve të mundshme ku mund të dërgohen të burgosur për të vuajtur dënimet e tyre.
Partia e Nigel Farage kërkon që shtetasit e huaj të dënuar në Britani të mos përfitojnë nga lirimi i parakohshëm, por të transferohen në vendet e tyre të origjinës për të përfunduar dënimin. Në rast se vendet e origjinës refuzojnë t’i marrin, Reform UK propozon që Britania të kërkojë marrëveshje me shtete të treta dhe të marrë me qira hapësira në burgjet e tyre.
Në këtë skemë, Shqipëria zë një vend të veçantë. Partia ka deklaruar se vendet që nuk bashkëpunojnë me kthimin e shtetasve të tyre mund të përballen me ndalimin e vizave dhe ndërprerjen e ndihmës së huaj.
Deputetja e Reform UK, Sarah Pochin, e ka bërë të qartë se Shqipëria mund të jetë ndër vendet që do të përballen me masa nëse nuk pranon të marrë mbrapsht shtetasit e saj të dënuar në Britani.
“Nëse nuk e bëni, nuk do të merrni një vizë tjetër britanike,nuk do të merrni asnjë qindarkë ndihmë të huaj nga Britania.”, ka thënë ajo në një intervistë për TalkTVUK
Sipas Pochin, vende si Shqipëria do të jenë në “rreth të kuq” nëse nuk i pranojnë mbrapsht kriminelët e tyre sipas planit të ri të Reform UK.
Kjo qasje vjen në një moment kur Britania po përballet me mbipopullimin e burgjeve dhe me presion të shtuar mbi qeverinë për politikën e lirimit të parakohshëm të të dënuarve. Në fund të qershorit, në burgjet e Anglisë dhe Uellsit mbaheshin 10,134 shtetas të huaj, rreth 12 për qind e të gjithë popullsisë së burgosur.
Reform UK pretendon se transferimi i të burgosurve të huaj jashtë Britanisë do të mundësonte lirimin e më shumë se 10 mijë vendeve në sistemin penitenciar britanik. Partia propozon gjithashtu ndërtimin e burgjeve të përkohshme “Nightingale”, me synimin për të krijuar mijëra vende të tjera.
Kosova në skemën e burgjeve me qira
Kosova është përmendur më parë nga Reform UK si një prej vendeve që mund të përdoren për këtë qëllim, krahas El Salvadorit. Ideja është që Britania të mos jetë e detyruar të mbajë në burgjet e veta shtetas të huaj, por të paguajë për hapësira burgu në një vend tjetër, nëse vendi i origjinës nuk i pranon. Nëse kjo skemë do të zbatohej, Kosova mund të shfaqej si një prej vendeve që do të merrnin pagesa nga Britania për strehimin e të dënuarve të huaj.
Madje ekziston një precedent konkret. Në vitin 2021, Danimarka ra dakord t’i paguante Kosovës një tarifë vjetore prej 12.8 milionë paundësh për një periudhë fillestare pesëvjeçare, në këmbim të marrjes me qira të 300 vendeve në burgjet e Kosovës.
Ky precedent tregon se ideja e pagesës së një shteti për të përdorur kapacitetet e burgjeve të Kosovës nuk është thjesht teorike. Në rastin e Reform UK megjithatë bëhet fjalë për një skemë shumë më të gjerë dhe potencialisht për mijëra të burgosur.
Farage: El Salvadori si alternativë
Lideri i Reform UK, Nigel Farage, ka propozuar që të gjithë të burgosurit e huaj të largohen nga burgjet britanike dhe të vuajnë dënimet e tyre jashtë vendit. El Salvadori është një prej destinacioneve që partia po shqyrton.
Farage ka thënë se partia po shqyrton mundësinë e marrëveshjeve me vende të treta për marrjen me qira të hapësirave të burgjeve. Një delegacion i Reform UK pritet gjithashtu të zhvillojë kontakte në El Salvador për këtë çështje.
Vitin e kaluar, Farage e kishte përshkruar El Salvadorin si një “shembull ekstrem” të një vendi ku mund të dërgoheshin të burgosur të huaj. Të hënën, ai i minimizoi shqetësimet për kushtet e burgjeve në vendin e Amerikës Qendrore, duke thënë: “Jo të gjitha burgjet janë kafaze”.
