Shkup, 2 mars – Ish-zëvendëskryeministri dhe deputeti aktual i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, përmes një postimi në rrjetet sociale e kritikoi Qeverinë lidhur me rritjen e paralajmëruar të pagës minimale, duke vlerësuar se bëhet fjalë për një detyrim ligjor, e jo për një politikë të mirëfilltë sociale.
Sipas Bytyqit, rritja e pagës minimale për 1.667 denarë, me ç’rast ajo do të arrijë në 26.046 denarë neto, është një mekanizëm që tashmë ekziston në sistem dhe zbatohet sepse është i detyrueshëm me ligj, e jo si rezultat i vullnetit politik.
“Pagë dinjitoze mund të ketë vetëm me një Qeveri dinjitoze – Qeveri që ka vullnet të ulet në tryezë me punëtorët, të dëgjojë, të negociojë dhe të marrë vendime që e njohin punën si vlerë, e jo si shpenzim që harmonizohet një herë në vit”, ka shkruar Bytyqi.
Ai thekson se paralelisht me harmonizimin e pagës minimale, Qeveria ka promovuar edhe shportën e saj të konsumit, e cila sipas tij është rreth 13 për qind më e ulët se ajo sindikale. Nëse shporta sindikale për muajin shkurt është 67.382 denarë, përllogaritja qeveritare do të ishte rreth 58.622 denarë, përkatësisht një ulje prej 8.760 denarësh “vetëm në letër”, pretendon deputeti.
Bytyqi vlerëson se edhe me shportën më të ulët qeveritare, një familjeje i nevojiten rreth 2,25 paga minimale për të mbuluar shpenzimet bazë, ndërsa sipas përllogaritjes sindikale nevojiten rreth 2,59 paga minimale.
“Ky është një përpjekje për ta llogaritur varfërinë më lirë – shifrat ulen, por halli mbetet”, thekson ai, duke shtuar se një pushtet dinjitoz nuk duhet të frikësohet nga dialogu social dhe protestat e punëtorëve, por t’i shohë ato si korrigjues demokratik.
Bytyqi përfundon se politika e vërtetë sociale matet përmes gatishmërisë së institucioneve për të zhvilluar dialog me punëtorët dhe sindikatat, e jo vetëm përmes përmbushjes formale të detyrimeve ligjore.
