Carney: Katër të vdekur nga zjarri në bazën ushtarake “Wainwright”

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Otavë, 19 tetor, Zhurnal.mk – Katër persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga një zjarr i fuqishëm që u përhap me shpejtësi në bazën ushtarake “Wainwright”, në provincën Alberta të Kanadasë.

Kryeministri kanadez, Mark Carney e cilësoi ngjarjen si një nga tragjeditë më të rënda, që ka përjetuar ushtria e vendit në territorin kanadez gjatë kohës së paqes.

Baza ushtarake ndodhet rreth 207 kilometra në juglindje të Edmontonit, kryeqytetit të provincës Alberta.

“Ekipet e shpëtimit luftuan me flakët gjatë gjithë natës, në kushte jashtëzakonisht të vështira”, tha dje Carney në një deklaratë të drejtpërdrejtë.

“Kombi është në zi”, u shpreh kryeministri, duke shtuar se flamujt në vend do të ulen në gjysmështizë, në shenjë zie.

Kreu i qeverisë kanadeze nuk dha detaje për shkakun e zjarrit, por tha se kishte kërkuar një raportim të hollësishëm zyrtar nga autoritetet provinciale dhe federale gjatë pasdites së djeshme.

Një gazetare e transmetuesit publik kanadez CBC, e cila ndodhej pranë vendngjarjes, raportoi se një banor që jetonte afër bazës i kishte thënë se kishte dëgjuar disa shpërthime të forta, të ngjashme me zhurmat që shkaktohen gjatë manovrave ushtarake.

Në mes të pasdites, ai kishte dëgjuar një shpërthim të fortë dhe më pas zhurmat kishin pushuar.

Megjithatë, ai vuri në dukje se era ishte forcuar dhe se më vonë kishte parë tym dhe flakë.

Carney falënderoi qytetarët në të gjithë vendin që kanë dhuruar gjak pas kësaj tragjedie.

Shërbimi Kanadez i Gjakut falënderoi gjithashtu personat që kishin dhuruar gjak dhe u bëri thirrje të tjerëve të kontribuojnë, për të siguruar rezerva të mjaftueshme gjaku në vend.

Konfirmimi i viktimave vjen një ditë pasi ministri kanadez i Mbrojtjes, David McGuinty, kishte njoftuar për të vdekur dhe të plagosur në një bazë ushtarake në provincën Alberta.

Edhe Carney, në një deklaratë të shtunën në mbrëmje, e cilësoi ngjarjen si “serioze”, duke konfirmuar se ajo kishte shkaktuar një zjarr të madh.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër