Analizë / Çfarë pasojash prodhon ngërçi politik në Kosovë?

Nga I.A
1,364 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 9 mars – Kosova ndodhet përballë një ngërçi politik të thellë i cili ka lindur nga dështimi për të zgjedhur presidentin e ri. Ky bllokim institucional ka hapur rrugën drejt një rreziku të madh shkuarjes së vendit sërish në zgjedhje të parakohshme. Një situatë e tillë jo vetëm që konsumon energji politike dhe financiare, por edhe e dëmton stabilitetin e brendshëm dhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Në këtë drejtim, çfarë prodhon ky ngërç dhe cilat janë pasojat? shkruan Zhurnal.

Çfarë ndodhi në Kosovë?

Procesi i zgjedhjes së presidentit dështoi. Kandidatët e propozuar nuk arritën të sigurojnë mbështetjen e nevojshme në Kuvend, duke e lënë institucionin më të lartë të shtetit pa drejtues. Ky dështim pasqyron mungesën e konsensusit politik dhe të kulturës së kompromisit. Por, mbi të gjitha barra kryesore bie mbi Vetëvendosjen si partia më e madhe politike me mbi 50% mbështetje popullore që po lejon që vendi të katandiset në këtë gjendje.

VV bleu kohë edhe pse ishin nën presion kohor, me idenë se president do duhet të jetë ndokush nga familja Jashari. Murat Jashari u përmend si një figurë e mundshme për shkak të simbolikës historike dhe trazirave globale, por refuzimi i tij e thelloi krizën. Ndërkohë, mbetet e paqartë pse nuk u propozua Vjosa Osmani, e cila tashmë ka dëshmuar aftësi dhe kredibilitet si brenda vendit, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Çfarë do të ndodhë nëse shkohet në zgjedhje?

Shkuarja në zgjedhje të reja do të prodhonte disa pasoja të dukshme. Zgjedhjet e shpeshta janë një barrë e rëndë për buxhetin e shtetit, duke konsumuar mjete që mund të investoheshin në zhvillim ekonomik, arsim apo shëndetësi.

Poashtu, zgjedhjet e parakohshme janë tregues i krizës së vazhdueshme politike. Ato e dëmtojnë besimin e qytetarëve tek institucionet dhe e paraqesin Kosovën si një shtet të paqëndrueshëm në sytë e partnerëve ndërkombëtarë.

Prandaj, vendimi i kryeministrit Kurti për të mos e zgjidhur situatën me një kompromis të matur edhe duke e ditë rrezikun që vendin e dërgon drejt zgjedhjeve, reflekton një qasje që rrit krizën e gjithanshme. Natyrshëm lind pyetja, nëse ai ishte i vetëdijshëm për trazirat globale, si mund të justifikohet dërgimi i vendit në një proces zgjedhor të pasigurt?

Ngërçi politik në Kosovë është tregues i qartë i mungesës së kulturës së konsensusit dhe e dobësisë së sistemit politik. Refuzimi i figurave simbolike si Murat Jashari me të drejtë absolute që familja Jashari është e gjithë Kosovës dhe nuk duhet të krijohen ndasi. Por, mospropozimi i një personaliteti të dëshmuar si Vjosa Osmani e bënë krizën edhe më të thellë.

Nëse vendi shkon sërish në zgjedhje, pasojat do të jenë të shumëfishta duke filluar nga konsumi financiar, humbje kohe, rritje e pasigurisë dhe dobësim i imazhit ndërkombëtar. Kosova ka nevojë për stabilitet, për liderë që marrin vendime të matura dhe për institucione që funksionojnë mbi bazën e kompromisit, jo të ngërçit e aq më pak të inateve, zilisë e tekeve personale. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër