Bizneset që pësuan dëme materiale gjatë protestave të fundit kanë nisur procesin e deklarimit zyrtar të humbjeve administrative dhe financiare. Për të lehtësuar këtë procedurë, autoritetet kanë vënë në dispozicion shërbimin e dedikuar “Dëmi im”, i cili mund të aksesohet drejtpërdrejt përmes portalit qeveritar e-Albania, si dhe në faqen zyrtare të Administratës Tatimore (www.tatime.gov.al).
Administrata Tatimore bëri me dije se po ndjek nga afër situatën e subjekteve tregtare të prekura përmes një mekanizmi të dyfishtë kontrolli.
“Bizneset e prekura mund të raportojnë dëmet e shkaktuara përmes shërbimit të dedikuar ‘Dëmi im’. Procesi i evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve vijon, me angazhim të vazhdueshëm dhe në mbështetje të bizneseve të prekura”, thuhet në njoftimin zyrtar të organit tatimor.
Verifikimet në terren
Përveç deklarimeve online, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) ka angazhuar personel të për kontrollin e saktësisë së të dhënave të paraqitura. Aktualisht, 10 grupe pune të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve po kryejnë verifikimet në terren, ndërkohë që paralelisht po shqyrtohet i gjithë dokumentacioni i dorëzuar nga sipërmarrësit me qëllim ndërtimin e regjistrit të plotë të dëmeve.
Sipas të dhënave zyrtare të grumbulluara deri në këtë fazë nga DPT-ja, bilanci i raportimeve përfshin një numër të konsiderueshëm kërkesash.
Deri tani, janë 116 aplikime në platformë, ndërsa vlera totale e dëmeve të deklaruara online është 3.44 milionë euro, çka pasqyron shkallën e parë të impaktit material mbi bizneset.
