Demantim, familja Sejdiu reagon ndaj lajmeve të pavërteta dhe paralajmëron padi për mediat që kanë keqpërdorur emrin e tyre!

nga I.A

Shkup, 13 nëntor – Pas publikimeve të shumta në disa portale dhe media që lidhën në mënyrë të pabazë emrin e familjes Sejdiu me rastin tragjik të vetëvrasjes së një studenteje në Tetovë, familja Sejdiu ka dalë me një reagim publik ekskluzivisht për Zhurnal, duke demantuar kategorikisht çdo pretendim të tillë dhe duke paralajmëruar padi ndaj mediave që kanë keqpërdorur emrin e tyre. Duke filluar nga mediat në Kosovë, pastaj media lokale në Tetovë, dhe gazetarët e përveçëm që kanë lakuar emrin e kësaj familjeje pa kontaktuar qoftë edhe njëherë familjen në fjalë. 

Në reagimin e bërë ekskluzivisht për Zhurnal, familja Sejdiu thekson se lajmet e publikuara kanë qenë të paverifikuara, të pavërteta dhe me karakter tendencioz, duke cënuar rëndë dinjitetin dhe reputacionin e tyre.

“Shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen e viktimës. Ne jemi thellësisht të shqetësuar që pa asnjë fakt apo bazë ligjore, emri i familjes sonë është përmendur në mënyrë të papërgjegjshme. Sulmi mediatik që u bë ndaj nesh, akoma pa u zbardhur rasti, është një tentativë për të njëllosur familjen tonë dhe për të deformuar perceptimin publik,” deklaron një anëtar i familjes Sejdiu për Zhurnal.

Familja bën të ditur se deri më tani ka qëndruar e heshtur për të mos ndikuar në procesin hetimor, mirëpo pas valës së publikimeve të pavërteta, konsideron se është kaluar çdo kufi i raportimit etik.

“Ne kemi heshtur për të respektuar hetimet, por nuk mund të qëndrojmë më indiferentë ndaj shpifjeve dhe etiketimeve të padrejta. Disa media kanë lejuar qarkullimin e lajmeve të pa verifikuara, kanë përmendur mbiemrin e plotë të familjes sonë, madje edhe emra individualë pa asnjë arsye apo fakt. Kjo është e papranueshme dhe e dënueshme. Ndaj kësaj nuk do të qëndrojmë duarkryq do të inicojmë padi për mediat në Kosovë dhe në vendin tonë, me theks të veçantë edhe për gazetarë lokal në Tetovë që kanë raportuar në formë të papërgjegjshme,” thuhet më tej në reagim.

Familja Sejdiu paralajmëron se do të ndërmarrë masa ligjore ndaj të gjitha mediave dhe gazetarëve që kanë shpërndarë informacione të pavërteta apo kanë cenuar privatësinë dhe dinjitetin e tyre. Në fund, ata u bëjnë thirrje mediave që të respektojnë etikën profesionale dhe përgjegjësinë gazetareske, duke verifikuar informacionet para publikimit dhe duke shmangur çdo formë të gjykimit publik pa prova.

Kujtojmë që, në Tetovë, një studente e re nga Kosova humbi jetën tragjikisht pas një rënieje nga ndërtesa, rast për të cilin hetimet janë ende në zhvillim. Organet kompetente nuk kanë publikuar ende detaje përfundimtare lidhur me shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More