Deri në 10% e kursimeve nga prokurimet publike për Fondin Kombëtar të Artit

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 17 nëntor, Zhurnal.mk – Qeveria synon të krijojë Fond Kombëtar për Artin, si instrument financiar publik që do t’i mundësojë shtetit blerjen, rikthimin dhe ruajtjen e veprave të artit dhe koleksioneve me vlera të veçanta historike e kulturore.

Projektligji “Për krijimin dhe funksionimin e Fondit Kombëtar për Artin” u shqyrtua sot në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi.
Zv.ministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Lira Pipa, duke prezantuar nismën, theksoi se krijimi i këtij fondi vjen si përgjigje ndaj nevojës për të ndërhyrë në kohë në tregun e artit, për të siguruar vepra me rëndësi të veçantë për trashëgiminë kombëtare.
Sipas Pipës, mungesa deri më tani e një mekanizmi të tillë financiar e ka kufizuar mundësinë e institucioneve shtetërore për të reaguar në kohë ndaj rasteve kur në treg janë ofruar vepra apo koleksione me vlera të veçanta.
“Fondi Kombëtar për Artin do të sigurojë që veprat me rëndësi kombëtare për vendin të mos mbeten jashtë vëmendjes për shkak të pamundësisë së institucioneve publike për të pasur një instrument financiar”, u shpreh ajo.
Projektligji synon pasurimin e arkivave dhe koleksioneve publike me vepra arti, mbrojtjen dhe ruajtjen në Shqipëri të objekteve me rëndësi të veçantë historike, garantimin e restaurimit dhe promovimit të tyre, si dhe rritjen e aksesit të publikut në këto pasuri përmes ekspozimit në hapësira publike.
“Kemi të bëjmë me krijimin e një pasurie publike të qëndrueshme, ku vlera e fondit nuk matet vetëm me shumën që vihet në dispozicion, por me veprat që bëhen asete të pasurisë kombëtare”, deklaroi Pipa.
Projektligji përbëhet nga 23 nene dhe përcakton të gjithë ciklin e administrimit të veprave të artit, nga identifikimi dhe blerja, te regjistrimi dhe ruajtja e tyre. Fondi do t’i bashkëngjitet buxhetit të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe do të menaxhohet nga një komision i posaçëm, me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë të fushës së artit.
Blerja e veprave parashikohet të realizohet përmes ankandeve ose nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta me pronarët e tyre, duke synuar përzgjedhjen e objekteve me interes të veçantë publik dhe kombëtar.
Sa i takon financimit, burimi kryesor do të jenë kursimet e verifikuara nga procedurat e prokurimit publik. Sipas projektligjit, fondi vjetor nuk mund të tejkalojë 10% të kursimeve të verifikuara, ndërsa parashikohen edhe burime të tjera financimi, si sponsorizimet dhe grantet, përfshirë ato të Bashkimit Europian.
Pipa sqaroi se fondi do të përdoret ekskluzivisht për blerjen e veprave të artit me interes publik dhe do t’i nënshtrohet auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH).
“Krijimi i këtij mekanizmi synon të forcojë mbrojtjen e pasurisë artistike kombëtare, duke i dhënë shtetit mundësinë jo vetëm të sigurojë vepra me vlera të veçanta, por edhe t’i ruajë, restaurojë dhe promovojë ato si pjesë të trashëgimisë kulturore të vendit”, tha ajo.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër