Shkup, 18 qershor – Në Maqedoninë e Veriut thuajse çdo punë bëhet ose për “sy e faqe” ose për të fituar ndonjë votë në prag të zgjedhjeve. E për pasojë të kësaj politike shpeshherë projekte që janë në interes të qytetarëve bëhen “shkel e shko” pa respektuar asnjë kriter të mirëfilltë. Prandaj qytetarët ballafaqohen çdo ditë me mbeturina gjithandej nëpër rrugë, me gropa të pa asfaltuara, me trotuare të pa rregulluara, shtylla të ndryshkura, mospasje të koshave për mbeturina… të gjitha këto probleme duke dhënë një pasqyrë të keqe për qytetin e për turistët, shkruan zhurnal.
Shpeshherë bora i zë komunat të pa përgatitura dhe shiu e breshëri i vërshon rrugët e qytetit, pikërisht duke mos pasur një planifikim dhe menaxhim të nevojshëm. Në vazhdën e bërjes publike të këtyre problemeve, kësaj radhe “Zhurnal.mk”, alarmon për një dukuri tjetër që është e rëndomtë në vendin tonë.
Në çdo fillim të vitit shkollor, fillon edhe rinovimi i ndonjë objekti shkollor, bëhen premtime për shkolla të reja e manipulohen prindërit e nxënësit, duke i detyruar ata të humbin ligjërata ose të shkojnë në klasa tjera, për shkak se “tani kanë filluar punimet ndërtimore!”.
Qeveria njoftoi së fundmi se në infrastrukturën arsimore ka investime prej rreth dy miliardë denarësh, të cilat përfshijnë disa projekte, duke përfshirë shkolla, salla sportive, konvikte studentore.
Në kuadër të këtyre projekteve janë duke u ndërtuar shtatë shkolla krejtësisht të reja dhe 20 të tjera janë duke u rinovuar. Gjithashtu janë duke u ndërtuar katër salla të reja sportive, dy konvikte studentore, ndërsa pjesë e marrëveshjes strategjike me Mbretërinë e Bashkuar është ndërtimi i një fakulteti të ri mjekësor brenda Qendrës së re Klinike në Shtip dhe një konvikt studentor me 220 shtretër.
Gjithashtu, qeveria ka planifikuar të vazhdojë ndërtimi i godinave të Fakultetit të shkencave kompjuterike dhe fakultetit të edukatës fizike në Universitetin e Shën Kirilit dhe Metodit. Në këto objekte që ishin pjesë e planit Shkupi 2014, u ndërprenë punimet pas rrëzimit të qeverisë Gruevski. Gjithsesi pjesë e këtij plani të investimeve është edhe fillimi i ndërtimit të Kompleksit të Universitetit Nënë Tereza në Shkup, shkruan “Zhurnal.mk”.
Është shumë e rëndësishme që punimet të bëhen në mënyrë profesionale dhe nga kompani serioze, sepse pasojat mund të jenë shumë të rënda. Ditë më parë, Departamenti i Policisë së Strumicës, ngriti kallëzim penal kundër 4 personave dhe kundër një kompanie nga Shkupi, për shkak të dyshimeve për krime të rënda që lidhen me rindërtimin e çatisë së Shkollës Fillore “Petar Musev” në Bogdanci. Të pandehurit dyshohet se kanë kryer vepra penale – “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe veprën penale “shkaktim rreziku gjatë punimeve ndërtimore” të parashikuar dhe të dënueshme.
Kjo kompani nuk ka marrë mendim për nivelin e projektuar të rezistencës mekanike, stabilitetit dhe mbrojtjes sizmike të ndërtesës, duke shkaktuar kështu rrezik për jetën dhe trupin e njerëzve, përkatësisht të nxënësve dhe punonjësve të Shkollës Fillore. Njëkohësisht, i është shkaktuar dëm buxhetit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) në shumë prej 12 milionë denarë dhe buxhetit të komunës së Bogdancit në shumë prej 130 mijë denarë.
Viti shkollor për shkollat fillore dhe të mesme ka përfunduar me 10 qershor, prandaj secila shkollë që planifikon të bëjë rinovime e rregullime brenda objektit të shkollës, ka mjaftueshëm kohë që deri në 1 shtator, të bëjë çdo rinovim në objekt. Në asnjë mënyrë nuk duhet të lejohet që gjatë verës të gjithë stafi të shkojnë me pushime, e shkolla të fillojë të rregullohet atëherë kur të fillojë mësimi, shkruan “Zhurnal.mk”.