Shkup, 27 mars – Numri i të prekurve nga kanceri i lëkurës në Maqedoninë e Veriut është në rritje. Mjekët po evidentojnë shtim alarmues të rasteve të reja të diagnostikuara, ndër të cilat ka edhe pacientë gjithnjë e më të rinj.
Një pjesë e madhe e të sëmurëve nga ky lloj kanceri regjistrohen në pjesën lindore të vendit.
Dermatologët apelojnë se kontrollet e rregullta janë kyçe për zbulimin e hershëm ose parandalimin e kësaj sëmundjeje malinje.
Ndërkohë që numri i rasteve të reja është në rritje të vazhdueshme, sistemi shëndetësor përballet vazhdimisht me mungesë të disa terapive.
Ministri i Shëndetësisë, lidhur me mungesat aktuale në Klinikën e Onkologjisë, thotë se nuk e di nëse tashmë është shpallur tenderi, por pretendon se me ndryshimet e reja ligjore nuk do të ketë më vonesa.
Pacientët onkologjikë alarmuan se mungojnë disa terapi për kancerin e gjirit, mushkërive, melanomën dhe prostatën për shkak të procedurave të tenderimit, duke kërkuar nga autoritetet shëndetësore që të planifikojnë me kohë sasitë dhe të koordinohen me furnizuesit.
Nga klinika konfirmuan se ka vonesa dhe njoftuan se tashmë po ndërmerren masa për tejkalimin e problemit, duke pritur që barnat të arrijnë së shpejti.
