Ksamil, 18 gusht Zhurnal.mk – Policia e Shtetit ka dalë me reagim zyrtar në lidhje me vrasjen e 20-vjeçarit portugezit, ngjarje e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Ksamil, nga ku bëhet me dije se deri më tani janë vënë në pranga 11 persona dhe janë shpallur në kërkim dy të tjerë, David Heurtevent dhe Bekim Bulica pronari i “Principotes”.
Burime nga blutë bëjnë me dije se në orën 05:15, të datës 18.08.2026, në ambientet e lokalit “Principote” dhe më pas në plazhin e lokalit “Paradise”, në Ksamil, gjatë një konflikti midis disa personave, Sokrat Vrata dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) disa herë në trup portugezin Luis Miguel Varela Mendes, 20 vjeç. Pasi goditi me thikë të riun, blutë bëjnë me dije se njëkohësisht shtetasi David Heurtevent, që është i shpallur në kërkim, e ka goditur me grushte 20-vjeçarin. Për rrjedhojë bëhet me dije se dyshja Sokrat Vrata dhe David Heurtevent, akuzohen për vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim.
Ngjarja merr përmasa më të mëdha pasi bëhet me dije se pak minuta para se 20-vjeçari të goditej për vdekje me thikë, shtetasit Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Ildi Cekani dhe Murat Zhabina, kamarierë në lokalin “Principote”, e kanë goditur me grushte 20-vjeçarin portugez dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes. Mirëpo arratia e tyre nuk ka zgjatur për shumë orë, pasi blutë e jugut i kanë vendosur në pranga.
Skaq mësohet se në lidhje me vrasjen e të riut portugez janë vënë në pranga shtetasit: Sokrat Lipan alias Sokrat Vata, dy shtetasit turk Nuh Mahmutoglu, dhe Ezgi Perlak, Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Ildi Cekani, Murat Zhabina, Miosid Matushaj, Luciano Seferi, Romeo Shehu dhe Kristi Koshi. Ndërsa janë shpallur në kërkim dy shtetasit David Heurtevent dhe Bekim Bulica pronari i “Principotes”. Siç kemi raportuar dhe ditën e sotme, vrasja e portugezit ndodhi për shkaqe xheloize. Viktima ndodhej në festë së bashku me disa miq të tij francezë, ndërsa konflikti dyshohet se ka nisur pas një debati për një vajzë shqiptare. Situata më pas ka agravuar dhe në përleshje është përfshirë edhe Sokrat Vata.
29-vjeçari punonte si orientues për turistët dhe sipas informacioneve të bëra publike nga gazetarja, kishte njohje të gjuhëve të huaja, të fituara gjatë periudhave që kishte qëndruar në Britani dhe Francë. Në konflikt është përfshirë edhe efektivi i Policisë së Shtetit, Moisid Matushaj, i cili në atë kohë punonte në biznesin ku ndodhi sherri. Pas përleshjes fizike, gjatë së cilës edhe Vata mbeti i plagosur, 29-vjeçari ka dalë në ambientet e jashtme të kompleksit.
Aty, ai ka goditur disa herë me thikë të riun portugez Luis Miguel Varela Mendes, duke i shkaktuar plagë të rënda që i morën jetën. Pas ngjarjes, Vata është larguar nga vendi i krimit, fillimisht me ndihmën e efektivit Moisid Matushaj. Por situata ka marrë një tjetër kthesë kur 29-vjeçari ka kërkuar që të dërgohej në spital, pasi ishte plagosur gjatë përleshjes.Në këto rrethana, Matushaj e ka lënë atë në mes të rrugës dhe ka njoftuar Policinë për atë që kishte ndodhur
I plagosur dhe në përpjekje për t’u shpëtuar kontrolleve policore, Sokrat Vata ka vijuar arratisjen. Ai është kapur në Levan, ku ishte fshehur në bagazhin e një automjeti me të cilin udhëtonin dy shtetas turq. Veprime intensive hetimore me metoda speciale të hetimit, të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Komisariatit të Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së 20-vjeçarit portugez, mëngjesin e sotëm në Ksamil.
Vihen në pranga 11 shtetas dhe shpallen në kërkim dy të tjerë
Në vijim të veprimeve për zbardhjen e rrethanave, dokumentimin ligjor, kapjen dhe arrestimin e autorit, si dhe të personave të tjerë të përfshirë në vrasjen e 20-vjeçarit portugez, mëngjesin e sotëm në Ksamil, Sarandë, ju informojmë se:
Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë, si dhe koordinimit të punës mes Komisariatit të Policisë Sarandë, Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, paraditen e sotme, në Levan, Fier, u kap në bagazhin e një automjeti autori i dyshuar i vrasjes, shtetasi S. L., alias S. V., 29 vjeç.
Ky shtetas udhëtonte në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga shtetasja E. P., 31 vjeçe, dhe pasagjer shtetasi N. M., 38 vjeç, të dy me shtetësi turke, të cilët kishin njohje me autorin dhe e kishin fshehur në makinë, me qëllim që ta transportonin drejt Tiranës.
Po në kuadër të veprimeve për dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së 20-vjeçarit, në Komisariatin e Policisë Sarandë u shoqëruan 41 shtetas.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
S. L., alias S. V., 29 vjeç, banues në fshatin Helshan, Has;
N. M., 38 vjeç, dhe E. P., 31 vjeçe, të dy me shtetësi turke;
S. S., 24 vjeç, banues në Ersekë;
E. B., 24 vjeç, banues në Peshkopi;
I. C., 21 vjeç, banues në Librazhd;
M. Zh., 27 vjeç, banues në Elbasan;
M. M., 24 vjeç, banues në Gjirokastër;
L. S., 44 vjeç, banues në Gjirokastër;
R. Sh., 35 vjeç, banues në Gjirokastër;
K. K., 29 vjeç, banues në Gjirokastër.
Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit D. H., 29 vjeç, banues në Tiranë, dhe B. B., 36 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore rezulton se:
Në orën 05:15, të datës 18.08.2026, në ambientet e lokalit “Principote” dhe më pas në plazhin e lokalit “Paradise”, në Ksamil, gjatë një konflikti midis disa personave, shtetasi S. L., alias S. V., dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) disa herë në trup shtetasin e huaj portugez L. V., 20 vjeç. Po në të njëjtën kohë, edhe shtetasi D. H., tashmë i shpallur në kërkim, e ka goditur me grushte 20-vjeçarin. Të dy këta shtetas akuzohen për vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim.
Ndërsa shtetasit S. S., E. B., M. Zh. dhe I. C., të cilët janë kamarierë në lokalin “Principote”, janë përfshirë në konfliktin e mësipërm, duke goditur me grushte 20-vjeçarin, para se ta godiste me mjet prerës shtetasi S. V., dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Në momentin e kësaj ngjarjeje, në lokalin “Principote” kanë qenë në rolin e bodyguard-ëve shtetasit M. M. (punonjës policie D. R. K. M. Gjirokastër), L. S. (punonjës i I. E. V. P. Fier), R. Sh. (punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër) dhe K. K., të cilët kanë pasur rolin e sigurisë dhe nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e kësaj ngjarjeje, që fillimisht ka nisur në ambientet e lokalit “Principote”, si dhe, pas ngjarjes, nuk kanë njoftuar autoritetet e Policisë së Shtetit.
Gjithashtu, në momentin e ndodhjes së kësaj ngjarjeje, në ambientet e lokalit “Principote” ka qenë edhe pronari i tij, shtetasi B. B., i cili, pas ngjarjes, është larguar duke mos kallëzuar në autoritetet përkatëse.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për shtetasit S. V. dhe D. H., për veprën penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim; për shtetasit N. M. dhe E. P., për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”; për shtetasit S. S., E. B., M. Zh., I. C., L. S., K. K., B. B. dhe R. Sh., për veprën penale “Moskallëzim i krimit”; si dhe për shtetasin M. M., për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”.
