Dijana Toska “godet” opozitën shqiptare: Për 20 vite nuk e zbatuan gjuhën shqipe, por prodhuan milionerë

Nga B.M
508 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 20 maj, Zhurnal.mk – Gazetarja dhe publicistja Dijana Toska ka drejtuar kritika të ashpra ndaj opozitës shqiptare në Maqedonia e Veriut, duke e akuzuar se për dy dekada nuk arriti të zgjidhë çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe dhe problemin e provimit të jurisprudencës në gjuhën amtare.

Në emisionin “Rishtazi” në Koha, Toska deklaroi se partitë politike kanë dështuar të realizojnë atë që sot po kërkohet nga studentët përmes protestave.

“Partitë kanë frikë nga studentët. Atë që është dashur ta bëjnë partitë politike, ta zgjidhin provimin e jurisprudencës, nuk e kanë bërë. Sa ministra të Drejtësisë kemi pasur, sa ministra të Arsimit kemi pasur? Kjo është zbatueshmëria e Marrëveshjes së Ohrit”, deklaroi Toska.

Ajo ngriti dilema edhe për mënyrën se si, sipas saj, gjatë periudhës 20-vjeçare shumë politikanë janë pasuruar, ndërsa çështjet kombëtare kanë mbetur të pazgjidhura.

“Askush nuk mund të më bind pse nuk u zbatua në përpikmëri Marrëveshja e Ohrit, ndërsa kaluan 20 vite. Brenda 20 viteve sa milionerë politikanë u bënë brenda asaj partie. Ne si shoqëri nuk e shtrojmë pyetjen se gjuha shqipe nuk po zbatohet, po milionat si i bënë”, tha Toska.

Në intervistë, ajo foli edhe për BDI, duke thënë se kishte mbështetur largimin e partisë nga pushteti pas dy dekadash qeverisjeje.

“Unë kam shkruar kundër BDI-së, e kam mbështetur ndryshimin. Një parti 20 vite në pushtet, në një demokraci normale, nuk ke çfarë pret më. I bën mirë të shkojë në opozitë”, deklaroi Toska.

Sipas saj, problemi më i madh ishte se funksionarë të caktuar të BDI-së, siç u shpreh ajo, “u ngritën mbi pushtetin”.

“Ajo që nuk mund ta duroj te BDI është se u ngritën mbi pushtetin. Në momentin që kam parë se një politikan i rangut të parë me një sms urdhëron dikë ta lëshojë vendin e punës, jam stepur. Kjo është çmenduri dhe në demokraci nuk duhet të lejohen gjëra të tilla”, tha Toska.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër