Dimitrovski: Me Bullgarinë na duhet dialog evropian, jo mesjetar

Nga Xh M
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Podgoricë, 1 tetor Zhurnal.mk – Politika e zgjerimit të Bashkimit Evropian është kyçe për transformimin demokratik, sundimin e ligjit dhe avancimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, ndërsa perspektiva e besueshme evropiane është thelbësore për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit. Kështu deklaroi sot zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Zoran Dimitrovski, në takimin me ministrat e Punëve të Jashtme, në kuadër të Procesit të Berlinit, që po mbahet në Przhno të Malit të Zi.

Integrimi evropian, bashkëpunimi rajonal dhe forcimi i stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor ishin në fokus të takimit, ku, sipas njoftimit të kabinetit të tij, morën pjesë ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të shteteve anëtare të BE-së, pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit, si dhe përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian, Këshillit për Bashkëpunim Rajonal dhe Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor.

Në fjalimin e tij, Dimitrovski theksoi se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm çështje rajonale, por edhe domosdoshmëri evropiane. Në kushtet e zhvillimeve të ndërlikuara gjeopolitike dhe ekspozimit të shtuar ndaj ndikimeve të jashtme, ai nënvizoi rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm rajonal dhe evropian.

Ai theksoi se çështjet dypalëshe nuk duhet të përbëjnë pengesë në rrugën drejt BE-së, pasi ato e dobësojnë perspektivën evropiane dhe, rrjedhimisht, edhe sigurinë dhe qëndrueshmërinë e vendeve të rajonit dhe të Evropës.

“Me fqinjin tonë lindor duam dialog evropian, e jo mesjetar – dialog për të ardhmen, e jo për historinë. Në procesin e anëtarësimit në BE duhet t’i transformojmë institucionet dhe të vendosim shtetin e së drejtës, e jo ta transformojmë identitetin dhe ta ndryshojmë narrativin historik”, theksoi Dimitrovski.

Në fjalimin e tij, Dimitrovski u ndal edhe te rëndësia e Procesit të Berlinit si një platformë e rëndësishme për avancimin e ndërlidhjes rajonale, lehtësimin e lëvizjes së lirë dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillim ekonomik, paqe, stabilitet dhe prosperitet në Ballkanin Perëndimor, me synimin për afrimin më të shpejtë të rajonit me standardet evropiane.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër