Dita Ndërkombëtare kundër Varfërisë: Qytetarët thonë se nuk sigurojnë dot as gjërat elementare

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 tetor Zhurnal.mk – 22 për qind e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut jetojnë nën kufirin e varfërisë, ndërsa te fëmijët kjo përqindje arrin në 29,5 për qind. Të dhënat e Platformës Kundër Varfërisë vënë në pah gjendjen e rëndë sociale të shumë familjeve, veçanërisht të atyre me më shumë fëmijë, prindërve të vetëm dhe familjeve rome. Qytetarët e anketuar nga Alsat thonë se me të ardhurat aktuale mund të mbulohen vetëm shpenzimet për ushqim.

“Gjithmonë ka qenë ashtu, varfëri, tash është akoma më keq”, tha një qytetar.

“Tash të gjithë mundohen për ti mbuluar shpenzimet, por ka njerëz që nuk mund ti mbulojnë shpenzimet, sepse kanë rroga më të ulura, pensione më të vogla, kurse çmimet shumë po rriten, janë tepër të larta”, tha një qytetar tjetër.

“Shumë, shumë, tepër janë rritur çmimet, jo jo nuk mund të jetohet me këtë rrogë është problem……njerëzit punojnë vetëm për ushqim, por diku nuk mjaftojnë as për ushqim’’, thotë qytetari.

“Sigurisht që ka njerëz që ende punojnë vetëm për të siguruar ushqimin. Po, po, sigurisht. Në Maqedoni ka ende shumë njerëz të varfër. Mendoj se vendi është i varfër dhe sa u përket pagave dhe standardit të jetesës, nuk mund të krahasohemi me disa vende të tjera”, tha qytetarja.

Platforma kundër varfërisë përmes një letre të hapur drejtuar autoriteteve kërkon miratimin urgjent të një strategjie për luftimin e varfërisë, vendosjen e shtesave për fëmijë dhe uljen e shpenzimeve shëndetësore.

29,5% e fëmijëve në Maqedoni jetojnë në varfëri ndërsa 38% e fëmijëve përballen me varfëri shumëdimensionale dhe jetojnë në kushte që rrezikojnë shëndetin, mësimin, sigurinë dhe zhvillimin e tyre. 19% e familjeve me fëmijë përfitojnë shtesa për fëmijë dhe shtesa familjare, krahasuar me 88% në Bashkimin Evropian”, deklaruan nga Platforma e Maqedonisë së Veriut Kundër Varfërisë.

• 29,5% e fëmijëve jetojnë në varfëri
• 38% e fëmijëve, në varfëri shumëdimensionale
• Rrezikojnë shëndetin, sigurinë dhe mësimin

826 milionë njerëz në botë jetojnë në varfëri ekstreme. Nga ana tjetër 2,8 miliardë njerëz në botë jetojnë në kushte të papërshtatshme banimi. Më shumë se një miliard prej tyre jetojnë në tenda apo objekte të braktisura në lagje të varfra, ndërsa mbi 300 milionë njerëz janë të pastrehë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër