Drenusha Latifi rikthen në vëmendjen çështjen e saj: Që tri vite nuk ma japin kujdestarinë e fëmijëve, babai i tyre nuk interesohet për ta

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Këngëtarja dhe ish-banorja e Big Brother VIP Kosova 3, Drenusha Latifi, ka reaguar publikisht lidhur me betejën e saj të vazhdueshme gjyqësore me ish-bashkëshortin, Atilla Kardesh, duke shprehur shqetësimin për zvarritjen e procedurave dhe çështjen e kujdestarisë së dy fëmijëve të tyre.

Përmes disa postimeve në InstaStory, Latifi ka treguar se prej tri vitesh është në pritje të një vendimi përfundimtar, ndërsa ka ngritur akuza për mungesë të mbështetjes institucionale.

“Tri vjet pa asnjë vendim të formës së prerë, dy gjoba me para dhe një proces i vazhdueshëm për dhunë në familje”, ka shkruar fillimisht ajo.

“Prej tri vitesh pres që fëmijët të më besohen mua. I rris e kujdesem vetë për ta, por gjykata ende nuk ma beson kujdestarinë, edhe pse babai i tyre nuk tregon interesim për fëmijët dhe e ka lëshuar shtetin e Kosovës”, ka deklaruar Latifi.

Ajo ka ndarë edhe një mesazh ku jep hollësi të tjera rreth procesit gjyqësor, duke pretenduar se, pavarësisht procedurave të zhvilluara deri më tani, ende nuk ka marrë një zgjidhje përfundimtare.

Sipas saj, edhe pse ish-bashkëshorti është gjobitur me 1,000 dhe 4,000 euro, proceset vazhdojnë dhe ajo ende përballet me vështirësi për të siguruar kujdestarinë e fëmijëve.

“Dhe qe tri vjet kam kërku besimin e fëmijëve, hala asnjë vendim. I rriti fëmit vetë pa asnjë mbështetje financiare dhe fëmit e mi s’kanë status, edhe pse baba i tyre ka dy vjet që kurrë s’u interesu për ta”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e publikuar prej saj.

Foto: Drenusha Latifi/InstaStory

Reagimet e Drenushës janë shpërndarë edhe nga këngëtarja e njohur Vesa Luma, e cila ka shprehur mbështetjen për të dhe ka kritikuar mënyrën se si institucionet trajtojnë raste të tilla.

Duke iu referuar një transmetimi të drejtpërdrejtë të Drenushës, Luma ka rikujtuar edhe përballjen e saj me ish-bashkëshortin në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova.

“Pse me shpresu që mundet me u rregullu sistemi i drejtësisë, kur rastin LIVE ia ka sjellë Klan Kosova në Big Brother dhunuesin në shtëpi Drenushës para miliona shikuesve dhe shteti mbylli gojën (në vend se ta tërhiqte zvarrë LIVE) e t’u jepte një mësim të mirë këtyre përbindëshave që dhunojnë gra!”, ka shkruar Vesa.

Në një tjetër reagim, këngëtarja i është drejtuar drejtpërdrejt ministres Donika Gërvalla, duke kërkuar vëmendje për seancën gjyqësore të paralajmëruar nga Drenusha për muajin nëntor.

“Ministre @donika_gervalla, më datë 10 nëntor e ka Drenusha Latifi gjyqin për besim të fëmijëve! Mos thuaj se kam ditë!”, ka shkruar ajo.

Foto: Drenusha Latifi/InstaStory

Kujtojmë se Drenusha Latifi kishte bërë publike më herët akuza për dhunë fizike dhe psikologjike ndaj ish-bashkëshortit të saj, Atilla Kardesh, gjatë bashkëjetesës së tyre në Suedi.

Historia e tyre kishte marrë vëmendje të jashtëzakonshme mediatike në nëntor të vitit 2024, kur produksioni i Big Brother VIP Kosova 3 vendosi ta fuste Kardeshin si banor në shtëpi, ku në atë kohë po qëndronte edhe Drenusha.

Vendimi kishte shkaktuar reagime të shumta nga publiku, organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet, ndërsa Kardesh ishte larguar nga spektakli pak ditë pas hyrjes së tij.

Përfaqësuesit ligjorë të Kardeshit kishin kundërshtuar më herët pretendimet lidhur me statusin e çështjeve gjyqësore për dhunë, ndërsa procedurat e përmendura nga Latifi mbeten objekt i deklarimeve publike të palëve.

Ndërkohë, Drenusha thotë se më 10 nëntor do të përballet sërish me gjykatën për çështjen e besimit të fëmijëve, duke shpresuar në një vendim që do t’i japë fund pasigurisë së saj shumëvjeçare.

artikuj të ndërlidhura