Shkup, 28 tetor, Zhurnal.mk – SPB Strumicë, përmes Njësisë së Punëve të Brendshme në Radovish, ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Strumicë kundër dy personave, të dyshuar për vepra penale që lidhen me fshehjen e tatimit. Njëri prej tyre dyshohet edhe për pastrim parash dhe ndërtim pa leje.
Sipas njoftimit të policisë, kallëzimi i parë është ngritur kundër I.J. (47) nga Radovishi, për shkak të dyshimeve të bazuara për kryerjen e veprave penale „fshehje tatimi“, sipas nenit 279 të Kodit Penal, „pastrim të parave dhe të ardhurave të tjera nga vepra penale“, sipas nenit 273, si dhe „ndërtim pa leje“, sipas nenit 244-a.
Kallëzim penal është ngritur edhe kundër A.J. (71) nga fshati Kozhali, në rrethinën e Radovishit, e dyshuar për veprën penale „fshehje tatimi“, sipas nenit 279 të Kodit Penal.
Sipas policisë, nga 29 tetori 2019 deri më 2 nëntor 2021, I.J., në cilësinë e personit të autorizuar në llogarinë devizore bankare të nënës së tij, A.J., ka pranuar në një bankë gjithsej 579.015 euro, përkatësisht 35.609.422 denarë, të transferuara nga një person fizik nga Gjermania.
Të ardhurat e pranuara, sipas njoftimit, nuk janë deklaruar në përputhje me Ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat Personale, me qëllim të shmangies së plotë ose të pjesshme të pagesës së tatimit.
Kontrolli i kryer nga Drejtoria e të Ardhurave Publike ka konstatuar se dy të kallëzuarit dyshohet se kanë fshehur tatim në vlerë të përgjithshme prej 3.182.066 denarësh, përfshirë edhe interesin.
Policia bën të ditur se I.J. dyshohet se të ardhurat e përfituara i ka përdorur për ndërtimin e një objekti të paluajtshëm pa leje, si dhe për blerjen e pasurisë së luajtshme në vend, duke fshehur burimin e tyre. Për këto veprime, ai dyshohet edhe për pastrim parash dhe ndërtim pa leje.
Rasti i është dorëzuar Prokurorisë Themelore Publike në Strumicë për procedim të mëtejshëm.
