E drejta e grevës është e pamohueshme, por mjekët duhet ta marin parasysh edhe situatën e përgjithshme tek ne

nga I Z

Shkup, 15 prill- Mjekët specialistë privatë kanë shpallur një grevë të përgjithshme nga dita e sotme. Shkak i grevës, siç kanë bërë të ditur të enjten përmes një komunikate për media, është se pavarësisht protestës së mbajtur më 27 mars dhe takimit me ministrin e Shëndetësisë, Ilir Demiri, më 2 prill, kërkesat e tyre ende nuk janë plotësuar.

“Në takimin me ministrin e Shëndetësisë, nga ai na është premtuar se kërkesat tona do të paraqiten në seancën e ardhshme të Qeverisë. Pas takimit me ministrin, më 3 dhe 9 prill janë mbajtur dy seanca të Qeverisë, në të cilat sipas informacioneve publike të Qeverisë, kërkesat tona nuk janë diskutuar në asnjërën prej tyre”, thuhet në njoftim.
Prandaj, siç shtohet në njoftimin e dërguar në emër të specialistëve privatë në Universitetet e Shkencave të Mjekësisë “Kiril dhe Metodi” dhe “Goce Dellçev”, janë të detyruar të ndërmarrin hapin tjetër, t’i bashkohen grevës së përgjithshme nga sot.

Nga atje thanë se greva do të zgjasë deri në plotësimin e kërkesave të tyre. E drejta e grevës është e drejtë e patjetërsueshme në vendet demokratike. Gjithkush që mundohet ta mohon këtë të drejtë, duhet të dënohet në mënyrë të rreptë, qoftë edhe mediumet. Mirëpo përgjegjësi duhet pasur edhe kur keqpërdoret e drejta e grevës. Nuk duam të sjellim këtu ndonjë konkluzion të prerë nëse mjekët specialistë e kanë ose jo me vend që kanë vendosur të futen në grevë. Por gjithsesi se duhet pasur parasysh gjitha rrethanat që mbretërojnë me një vend. Në Maqedoninë e Veriut këto janë rrethanat ekonomike, që i dimë të gjithë.

Mjekët duhet të jenë ndër kategoritë më të vlerësuara në çdo vend, por edhe ata duhet të kenë respekt për kategoritë tjera të shoqërisë. Të gjithë e dimë se në Gjermani mjekët paguhen më tepër se tek ne. në Zvicër edhe më shumë se në Gjermani. Por duhet të bëhet krahasim edhe mes standardit jetësor. Cila është kostoja e jetës atje, e cila këtu tek ne. Nuk po e mohojmë se kushtet e jetesës që i ofron një shtet perëndimor nuk mund të krahasohen me ato tek ne, por ndonjëherë duhet të vijë në shprehje edhe sakrifica për vendin dhe rrethin që i takon. Kjo zaten është edhe në frymën e betimit të Hipokratit, sado që nuk përfshihet drejtpërdrejtë në këtë frymë.

Ky editorial nuk ka për qëllim të amnistojë autoritetet. Atyre vazhdmisht duhet t’u bëhet presion që të punojnë në drejtim të përmirësimit të kushteve, sepse aq sa janë të kënaqur mjektë nga kushtet në të cilat punojnë, aq ne do të jemi të kënaqur me shëndetin tonë. Por ekuilibri duhet të ekzistojë në çdo sferë të shoqërisë, dhe të gjithë duhet ta japim kontributin tonë që të ruhet ky ekuilibër. Nuk diskutohet që ka më mirë, por nuk diskutohet as që ka më keq. Këtë duhet ta kenë parasysh mjeket tanë dhe çdokush që ushtron profesion të karakterit human, e jo profesion të thjeshtë të ndonjë natyre tjetër./Zhurnal


TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

@2009-2024 – All Right Reserved. Designed and Developed by Anet.com.mk

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More