Editorial / BDI nuk po pret më tek “dera e qeverisë”, fillon të sillet si opozitë e vërtetë ?!

Nga B.M
804 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 30 mars, Zhurnal.mk – Po bëhen gati dy vite që ndodhën ndryshime në skenën politike në Maqedoninë e Veriut, e pas 22 vitesh në pushtet BDI-ja së fundi duket se po pajtohet se duhet vepruar si parti në opozitë e jo e përmbyllur në shpresën se kundërshtari i saj kryesor politik, VLEN, nuk do të mund të qëndrojë në koalicion qeveritar për t’ia lëshuar ulëset në qeveri.

Ardhja e VMRO-DPMNE-së në pushtet dhe largimi i LSDM-së, ishte evident shumë muaj para se të mbahen zgjedhjet e majit 2024, përderisa ndryshimi në kampin shqiptar ishte një e panjohur deri në moment të fundit.

VMRO-DPMNE që para zgjedhjeve kishte shpallur se do të bashkëpunojë me VLEN-in, por skepticizmi në opinion vazhdoi edhe pas zgjedhjeve, për shkak se koalicioni i udhëhequr asokohe nga BDI me emërtimin “Fronti Evropian” mori numër më të madh të deputetëve.

Veprimi i BDI-së deri tani ka qenë i fokusuar kundër VLEN-it, duke e cilësuar atë sipërfaqësues “jolegjitim” të shqiptarëve në Maqedoni të Veriut. BDI-ja edhe pa zgjedhjeve vazhdoi që të thërret me formulën e saj të dikurshme “fituesi me fituesin”.

Këtë etiketë “jogjitimiteti”, herë BDI, e herë AKI, vazhduan t’ia mveshin koalicionit shqiptar në pushtet edhe pas zgjedhjeve lokale por pakêz më butësisht, sado që koalicioni VLEN e fitoi bindshëm numrin më të madh të komunave në zgjedhjet komunale të vitit të kaluar.

Por me rezultatet e zgjedhjeve lokale dhe me kalimin e muajëve, BDI si duket u pajtua për ndryshimin pasi që e mori një porosi të madhe nga votuesit shqiptarë për ndryshimet në përkrahje të partive politike, përkatësisht një fillimi të zhvendosjes së përkrahjes nga ana e qytetarëve shqiptarë.

E së fundi vërehet një ndryshim i (pa)pritur i qasjes së BDI-së, e cila deri para pak kohe sikurse dëshironte që të shmangte sa më gjatë veprimin e theksuar opozitar, duke preferuar që një pjesë e opinionit shqiptar ende ta perceptonte atë si parti e cila “veç sa nuk është kthyer në pushtet”.

Shkak për këtë kthesë të shpejtë të BDI-së mund të jetë po aq edhe anketa e fundit e cila thotë se partia e Ali Ahmetit ka filluar që të ngecë pas VLEN-it, dhe se asaj i duhet ndërmarrë veprime serioze para publikut për të penguar që dallimi në përkrahje nga qytetarët shqiptarë të mos thellohet edhe më shumë.

Nga ky vështrim, duket se BDI-ja u bind se me konferenca për shtyp që mbanin figura pothuajse anonime të partisë, e të papërgatitura sa duhet në planin përmbajtësor e vizual, është vështirë të veprohet në opozitë.

Kthesën si duket tani po mundohet ta bëjë edhe zëdhënësi dhe veterani i partisë Bujar Osmani, përmes të cilit BDI shënjestrën e drejton kritikat kah VMRO-DPMNE dhe Kryeministri Hristijan Mickoski, gjë që deri tani nuk ka qenë aq e theksuar.

Krejt këto elemente krijojnë përshtypjen se BDI më nuk ngurron, e madje edhe u detyrua, që të pranojë se është parti opozitare, që do të thotë se edhe nëse ka qenë e vërtetë se deri tani ka pritur “pas derës së qeverisë” me shpresën mos ndoshta po del apo dëbohet VLEN-i, tani e tutje nuk do të bëjë një gjë të tillë.

Periudha që vjen do ta vërtetojë ose do të demantojë nëse BDI do t’i shndërrojë veprimet e saja politike si parti në opozitë, pas plot 22 vitesh qeverisje.

E para do ta bënte skenën politike midis partive shqiptare dhe garimin edhe më dinamik, por edhe në krejt Maqedoninë e Veriut.

 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër