Shkup, 7 mars, Zhurnal.mk – Lufta në Iran ka bërë që çdo shtet të ndjejë pasoja, qoftë direkte ose indirekte. Pozita gjeografike dhe bllokimi i rrugëve kryesore të transportit të naftës dhe gazit nga shtetet e Gjirit Persik, ka bërë që e gjithë bota të ndjejë “dridhjet” e para. Edhe pse nuk ka ndonjë rrezik në çështjet e sigurisë, Maqedonia e Veriut mund të ballafaqohet kryesisht me rreziqe ekonomike, shkruan “Zhurnal.mk”.
Çmimet e naftës dhe energjisë
Si një vend me një deficit të madh energjetik, Maqedonia e Veriut është ndër më të ekspozuarat, së bashku me vendet e tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore, ndaj ndërprerjeve në tregjet globale të naftës dhe gazit.
Konflikti ka shkaktuar tashmë një rritje të çmimeve globale të energjisë për shkak të rreziqeve në Ngushticën e Hormuzit, e cila është bllokuar tërësisht. Kjo pritet të rrisë çmimet e karburantit dhe energjisë elektrike brenda Maqedonisë së Veriut, por momentalisht ende ka vetëm panik dhe jo diçka konkrete. Disa pompa të karburantit në Shkup kanë filluar të mos shesin mjaftueshëm derivate, por me një limit prej 500 dhe 1000 den maksimum.
Megjithatë, në këtë moment Maqedonia e Veriut ende i ka çmimet më të ulëta të benzinës krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit dhe të Evropës. Kështu, në Shkup, në këtë moment çmimi i benzinës Eurosuper BS 95 është 74.5 denarë, që është 1.20 euro. Pak më e shtrenjtë është benzina 98, që është 1.23 euro. Në Greqi benzina është 1.76 euro, në Shqipëri është 1.92 euro, në Kosovë 1.40 euro, në Bullgari 1.37 euro dhe në Serbi është 1.73 euro.
Një veprim që e ka paralajmëruar qeveria është që mund të ulet akciza e karburanteve për të mbrojtur standardet e jetesës së qytetarëve nëse çmimet e karburantit rriten ndjeshëm. Rritja e kostove të energjisë do të shtojë inflacionin e përgjithshëm dhe do të ushtrojë presion mbi kostot e industrive që përdorin intensivisht energji. Inflacioni do të thotë rritje të çmimeve të produkteve, sepse shumica e fabrikave punojnë me gaz ose naftë, shkruan “Zhurnal.mk”.
Ndërsa Maqedonia e Veriut ka njëfarë tregtie me Iranin (kryesisht duke importuar polimere dhe alumin), ndikimi i drejtpërdrejtë ekonomik nga ndërprerja e tregtisë është i ulët krahasuar me tronditjet e çmimeve të energjisë.
Kohëzgjatje e luftës
Sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë në Washington kjo luftë në Lindje të Mesme pritet që të zgjasë 4 deri në 6 javë. Nëse do të ndodhte pikërisht kështu, atëherë çmimet dhe pasojat në ekonomi do të jenë kontrolluara, dhe nuk do të ketë ndonjë ndikim shumë të madh në ekonominë botërore dhe atë të Maqedonisë së Veriut.
Megjithatë, nëse lufta shtrihet përtej kësaj periudhe, ndikimet do të jenë të përmasave të mëdha, dhe këtu më gjithçka do të dalë jashtë kontrollit, sepse askush nuk mund të parashikojë se çfarë do të ndodhë në një situatë kur bota do të ndjejë mungesën e naftës së rajonit dhe gazit të Katarit.
Në një situatë të zgjatjes së luftës përtej 4-6 javëve, Maqedonia e Veriut do të detyrohet të përdorë edhe rezervat shtetërore të naftës dhe ushqimit, të cilat, jozyrtarisht mund të zgjasin deri ne tre muaj. Këto rezerva konsiderohen të mjaftueshme për të garantuar sigurinë ushqimore në raste krizash, ndërsa qeveria konfirmon se rezervat janë funksionale dhe të gatshme, shpesh duke theksuar se ka sasi të mjaftueshme, sidomos të grurit, për të shmangur mungesat. Rezervat përfshijnë produkte ushqimore bazike dhe derivate nafte, por vendi është i varur nga importi i ushqimeve, çka ndikon në menaxhimin e rezervave.
Kriza gjatë Kovidit por edhe kriza në Ukrainë treguan se Maqedonia e Veriut nuk është e vetme në ballafaqimin me këto situate dhe sidomos BE-ja me mekanizmat e saja do të ndihmonte vendet kandidate.
Sidoqoftë, është fakt i pamohueshëm se krizën e gjeneruar nga lufta e SHBA-ve dhe Izraelit me Iranin, do ta paguajnë qytetarët dhe askush tjetër. Gjithsecili nga xhepi i tij do të ndajë më shumë para për ushqim, për naftë dhe për shërbime tjera, shkruan “Zhurnal.mk”.
Evakuimi
Pavarësisht rreziqeve ekonomike, situata e menjëhershme e sigurisë për Maqedoninë e Veriut mbetet e qëndrueshme dhe nuk pritet ndonjë rrezik në aspektin e refugjatëve ose lëvizje më të mëdha të atyre që do të synonin vendin tonë.
Qeveria ka thënë se po e përcjellë nga afër situatën dhe që nga fillimi i marsit 2026, dhe se ka ndërmarrë hapa për t’u përgatitur për çdo evakuim të nevojshëm të qytetarëve nga rajoni, megjithëse nuk ekziston ndonjë kërcënim i drejtpërdrejtë për Maqedoninë e Veriut. Së fundmi u larguan gjashtë qytetarë nga Izraeli, kurse pritet gjatë ditëve në vijim të vijnë edhe aeroplanë me qytetarë nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari.
