Eksperti austriak propozon ndarje të Maqedonisë në tetë kantone (Krahina)

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Vjenë, 3 tetor Zhurnal.mk – Ekonomisti austriak dhe aktivisti politik Gynter Felinger-Jan, ka një plan edhe për Maqedoninë. Ai propozon që vendi të shndërrohet në një federatë sipas modelit austriak, me tetë krahina, secila me parlamentin, qeverinë dhe guvernatorin e saj.

Propozimi, për të cilin shkruan portali Ekspres, është autentik, por verifikimi i fakteve i realizuar nga Plusinfo tregon se nuk bëhet fjalë për iniciativë të qeverisë austriake, të Bashkimit Evropian apo të NATO-s, por për një iniciativë personale politike të Felinger-Jan.

Sipas planit që ai publikoi në platformën X, tetë krahinat do të ishin: Shkupi, Pollogu, Verilindja, Perëndimi, Vardari, Lindja, Jugperëndimi/Ohri dhe Pellagonia/Manastiri.

Atyre do t’u jepeshin kompetenca në arsim, kulturë, infrastrukturë, zhvillim rajonal dhe ekonominë lokale, ndërsa pushteti federal do të mbante në kompetencë mbrojtjen, politikën e jashtme, politikën makroekonomike dhe standardet kombëtare.

Felinger parashikon që deri në vitin 2029, Maqedonia të bëhet anëtare e BE-së, Shengenit dhe OECD-së, si dhe të vendosë euron si monedhë zyrtare.

Verifikimi i fakteve tregon se Felinger, në fakt, nuk është person i panjohur në Maqedoni. Në shkurt të vitit 2021, gjatë qeverisë së Zoran Zaevit, ekonomisti dhe lobisti austriak u emërua anëtar i Komitetit për Miratimin e Investimeve pranë Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik të shtetit.

Nuk bëhej fjalë për një funksion protokollar – komiteti kryente përzgjedhjen përfundimtare të projekteve që aplikonin për mbështetje financiare shtetërore.

Felinger mbeti në Komitet edhe pas largimit të Zaevit nga posti i kryeministrit, deri në vitin 2024, kur, me një vendim të publikuar në “Gazetën Zyrtare”, u shkarkua për shkak të skadimit të mandatit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër