ESM nënshkroi grant me Bankën Botërore për ndërtimin e centralit kogjenerativ “REK Bitola 1”, investim mbi 200 milionë euro

Nga D. V.
661 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 qershor, Zhurnal.mk – Drejtori i përgjithshëm i AD Elektranat e Maqedonisë së Veriut (ESM), Lazo Uzunçev, dhe menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë, Karol Mezhevan, nënshkruan marrëveshje për grant prej 2,4 milionë dollarësh për realizimin e aktiviteteve përgatitore për centralin kogjenerativ “REK Bitola 1”. Nga ESM njoftuan se marrëveshja është një hap përpara në realizimin e një prej investimeve më të rëndësishme në procesin e tranzicionit energjetik dhe modernizimit të sektorit energjetik vendor.

“Këto mjete janë të destinuara për zbatimin e aktiviteteve përgatitore për centralin kogjenerativ ‘REK Bitola 1’ dhe zgjerimin e rrjetit të ngrohjes në Bitolë. Ky hap në vitet e ardhshme do të sjellë dekarbonizim të përshpejtuar dhe rritje efikase të prodhimit vendor me kosto të optimizuara. Përmes grantit do të realizojmë procedurat për zgjedhjen e konsulentëve eminentë dhe hartuesve të studimeve të detajuara. Ky proces përfshin edhe hartimin e studimit të fizibilitetit, i cili do të jetë bazë për shpalljen e një tenderi ndërkombëtar për zgjedhjen e ofertuesit më të favorshëm për dizajnin dhe ndërtimin e centralit, në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare”, deklaroi Uzunçev.

Investimi i planifikuar, me vlerë mbi 200 milionë euro, do të realizohet pranë kompleksit ekzistues prodhues të REK “Bitola”. Centrali i ri kogjenerativ do të mundësojë prodhimin e njëkohshëm të energjisë elektrike dhe termike, me ulje të ndjeshme të emetimeve të dëmshme dhe harmonizim me standardet ekologjike vendore dhe evropiane.

Përveç kontributit në objektivat kombëtare për dekarbonizim, projekti do të sigurojë furnizim më të përballueshëm me energji termike për qytetarët e Bitolës dhe rrethinës, duke ndikuar drejtpërdrejt pozitivisht në cilësinë e mjedisit jetësor në Rajonin e Pelagonisë.

“Ky projekt reflekton rrugën më të gjerë të vendit drejt përafrimit me objektivat energjetike dhe klimatike evropiane. Përparimi i zgjidhjeve më të pastra energjetike, modernizimi i infrastrukturës dhe ulja e emetimeve janë hapa të rëndësishëm drejt krijimit të një sektori energjetik të përgatitur për të ardhmen”, deklaroi Mezhevan.

Sipas ministres së Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, nuk ka kompromis me sigurinë energjetike të vendit.

“Vizionin tonë e kemi të qartë – Maqedonia të bëhet vend që prodhon më shumë energji vendore dhe gradualisht e ul gjurmën e karbonit. Sa më shumë burime të rinovueshme të integrojmë në sistem, aq më shumë na nevojiten kapacitete bazë të qëndrueshme dhe fleksibile që do të sigurojnë furnizim të sigurt. Qëllimi ynë është të ndërtojmë një sistem energjetik modern që ndjek politikat evropiane, duke garantuar njëkohësisht energji të sigurt dhe të përballueshme për qytetarët dhe ekonominë”, tha Bozhinovska.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër