Estoni, 2 shtator, Zhurnal.mk – Parlamenti i Estonisë zgjodhi juristen dhe kancelaren e drejtësisë, Ulle Madise, si presidente të re të vendit. Në raundin e parë të votimit të fshehtë, ajo mori 71 nga 101 vota, duke siguruar shumicën prej dy të tretash të nevojshme.
Madise ishte kandidatja e vetme për postin e presidentes. Shtatë fletëvotime mbetën të zbrazëta, ndërsa pjesa tjetër e deputetëve nuk votuan ose nuk ishin të pranishëm. Për kandidaturën e saj votuan deputetë nga partitë në pushtet dhe opozitë.
Madise do të jetë vetëm gruaja e dytë në krye të Estonisë, pas Kersti Kaljulaid, e cila e drejtoi vendin nga viti 2016 deri më 2021. Presidenti aktual Alar Karis kishte njoftuar më herët se nuk do të kandidonte për një mandat të ri.
Në fjalimin pas zgjedhjes, Madise tha se do të punojë për të mirën e Estonisë. Ajo e përshkroi vendin si një nga pikat kyçe të sigurisë së Evropës dhe të botës së lirë perëndimore, pa hyrë në çështje konkrete të politikës së jashtme.
Madise, 51 vjeçe, që nga viti 2015 është kancelare e drejtësisë së Estonisë, një institucion i pavarur që mbikëqyr kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e akteve dhe veprimeve të shtetit e qeverisë. Ajo ka qenë gjithashtu profesoreshë e së drejtës në universitete estoneze dhe këshilltare juridike e ish-presidentit Toomas Hendrik Ilves.
Presidenti i Estonisë ka kryesisht kompetenca ceremoniale, por përfaqëson shtetin dhe ka rol të rëndësishëm në çështjet që lidhen me sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen.
