Shkup, 14 tetor, Zhurnal.mk – Aksion i suksesshëm i përbashkët i MPB-së dhe FBI-së. U shkatërrua tregu ilegal online për shitje të të dhënave të vjedhura, kallëzim penal kundër një 20-vjeçari nga Tetova.
Si rezultat i hetimit të koordinuar mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), u zbulua administratori i tregut ilegal online “OLVX”, përmes të cilit ofroheshin të dhëna personale të vjedhura, kredenciale hyrjeje dhe mjete për kryerje të krimit kompjuterik.
Sektori për krim kompjuterik dhe forenzikë digjitale pranë MPB-së paraqiti kallëzim penal në Prokurorinë Publike Tetovë kundër E.A. (20) nga Golema Reçica, Tetovë, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale “mashtrim kompjuterik”, “keqpërdorim i të dhënave personale” dhe “prodhim dhe shpërndarje të pornografisë fëmijëve”, njoftoi MPB.
„Aksioni është rezultat i informacioneve fillestare të marra nga FBI, pas së cilës vijoi hetim i përbashkët, i koordinuar, i drejtuar drejt zbulimit dhe shtypjes së aktiviteteve kriminale të lidhura me tregun ilegal online ‘OLVX’.
Sipas provave të siguruara, i kallëzuari në periudhën 2023–2025 ka qenë administrator i domeneve dhe faqeve të internetit të lidhura me platformën ‘OLVX’, e cila shërbente si treg ilegal për shitje të të dhënave digjitale të vjedhura, mjeteve softuerike dhe shërbimeve të destinuara për kryerje të veprave penale.
Përdoruesit kryesorë të platformës ishin kriminelë kibernetikë që blinin dhe shisnin të dhëna personale dhe kredenciale hyrjeje për llogari dhe rrjete kompjuterike të viktimave. Gjatë funksionimit të platformës u ofruan mbi 1.500 kredenciale hyrjeje të vjedhura.
Hetimi gjithashtu konstatoi se në periudhën 2025–2026 i kallëzuari ka administruar edhe një grup ilegal online me emrin “ONEMILI” në aplikacionin e komunikimit “Telegram”. Përmes këtij grupi ofroheshin shërbime dhe mjete softuerike për kryerje të krimit kompjuterik, përfshirë mashtrime të lidhura me kthimin e paligjshëm të mjeteve financiare.
Gjithashtu, janë siguruar prova se i kallëzuari përmes aplikacionit “Telegram” ka blerë dhe poseduar materiale me abuzim seksual të fëmijëve.
Ky operacion përfaqëson operacionin e parë të përbashkët të koordinuar kibernetik mes MPB-së dhe FBI-së, duke konfirmuar rëndësinë e bashkëpunimit policor ndërkombëtar në zbulimin dhe shtypjen e formave moderne të krimit kompjuterik të organizuar“, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Ministria e Punëve të Brendshme, përmes Sektorit për krim kompjuterik dhe forenzikë digjitale, mbetet e përkushtuar në luftën kundër krimit kibernetik, mbrojtjen e të dhënave personale dhe sigurinë e qytetarëve në hapësirën digjitale.
Bashkëpunimi i suksesshëm me FBI-në përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve për përballimin e krimit kompjuterik transnacional dhe dërgon një mesazh të qartë se hapësira digjitale nuk duhet të jetë strehë për aktivitete kriminale.
